Ministri i Financave, Petrit Malaj, po prezanton sot projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”.
Në fjalën e tij në Konferencën e Kryetarëve, Malaj u ndal te kornizat e këtij projektligji, që siç theksoi lidhet me objektivat e vendit për periudhën 2027-2029.
Malaj veçoi edhe prioritetet e këtij projektbuxheti, në disa fusha.
“Projektligji reflekton qartë objektivat për periudhën 2027-2029, por mbi të gjitha angazhimin tonë për një Shqipëri më sociale. Objektivi për një zhvillim të qëndrueshëm, financa publike më të shëndosha, për më shumë investime dhe mundësi; një standard më të mirë jetese. Me mbi 10 miliardë shpenzime publike të parashikuara, si kurrë më parë ndonjëherë, i japim këtij objektivi një mbështetje të fortë financiare. Prioritetet tona janë të përcaktuara: mbrojtja sociale, arsimi, shëndetësia, pensionet, bujqësia, por edhe mbrojtja dhe siguria. Nuk janë thjesht zëra buxhetorë”,-u shpreh Ministri.
Ndërkohë, Ministri nuk la pa përmendur edhe ndryshimet konkrete që synon projekligji, me fokus te fëmijët, familjet dhe kategoritë në nevojë.
Ndryshimet e para të buxhetit të vitit 2027 pritet të reflektohen që në nisje të viti, me dyfishimin e bonusit mujor për pensionistët.
“Parashikojmë afrimin e indeksimit të pensioneve në muajin prill 2027, me një fond të parashikuar prej 1.35 miliardë lekësh. Gjithashtu, duke filluar nga 1 janari 2027, do të dyfishohet bonusi mujor i pensionistëve, me kosto totale për buxhetin e shtetit prej rreth 200 milionë euro. Krahas pensioneve, buxheti do të forcojë politikat sociale me fokus te fëmijët, familjet dhe kategoritë në nevojë”,-tha Malaj./k.m
