Last Updated on 31/10/2026 by EL
Banorët e evakuuar nga qyteti i Oleshky, i pushtuar nga Rusia, në rajonin jugor ukrainas të Khersonit, mbërritën të shtunën në Ukrainë, pasi udhëtuan përmes Bjellorusisë. Evakuimi u realizua në kuadër të një armëpushimi të përkohshëm humanitar mes Kievit dhe Moskës.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga Dmytro Lubinets, Komisioneri i Parlamentit ukrainas për të Drejtat e Njeriut, tregojnë disa prej banorëve duke zbritur nga një autobus i mbuluar me flamuj ukrainas dhe duke përqafuar familjarët e tyre pas kalimit të kufirit.
“Momenti që të gjithë prisnim: banorët e Oleshky kanë kaluar kufirin. Misioni humanitar është përfunduar me sukses!”, shkroi Lubinets krahas videos, duke falënderuar gjithashtu Zonjën e Parë të SHBA-së, Melania Trump, për ndihmën në ndërmjetësimin e marrëveshjes.
“I gjithë ky mision u realizua me sukses falë përfshirjes së saj”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri të ditur se të evakuuarit kishin kaluar në territorin ukrainas përmes rajonit të Chernihiv, në veri të vendit, dhe se tashmë do të merrnin ndihmën e nevojshme.
Më herët, ata kishin mbërritur në qytetin Gomel, në juglindje të Bjellorusisë, përpara se të vazhdonin udhëtimin drejt Ukrainës.
Melania Trump, e cila ndihmoi në ndërmjetësimin e armëpushimit të kufizuar, deklaroi të premten se një konvoj ishte gati për të evakuuar më shumë se 750 persona që kishin zgjedhur vullnetarisht të largoheshin nga Oleshky.
“Konvoji përfshin 25 autobusë, 50 profesionistë të kujdesit shëndetësor dhe ambulanca”, deklaroi ajo.
Armëpushimi pritet të zgjasë deri të dielën në mbrëmje.
Sulmet ruse lënë pa energji elektrike qindra mijëra familje në Ukrainë
Zhvillimet vijnë në një kohë kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se rreth 280 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike pas sulmeve ruse gjatë natës.
“Sulmet ruse kanë krijuar një situatë të vështirë me furnizimin me energji elektrike në rajonet tona”, shkroi Zelenskyy në një postim në platformën X.
Sipas tij, rreth 200 mijë familje në qytetin e Dnipros dhe zonën përreth kanë mbetur pa energji, ndërsa të paktën 80 mijë të tjera në rajonin e Kievit janë gjithashtu pa furnizim me energji elektrike.
Ekipet e riparimit po punojnë për të përballuar pasojat e sulmeve dhe për të rikthyer sa më shpejt furnizimin me energji.
Zelenskyy bëri të ditur se forcat ruse kishin goditur të premten në mbrëmje një central të kombinuar të prodhimit të energjisë elektrike dhe ngrohjes në Kiev, si dhe katër nënstacione elektrike në rajonin lindor të Dnipros, përveç objektivave të tjera.
