“Ishin tipa të ashpër, por jashtëzakonisht romantikë”
Nga Garth Cartwright/ The Guardian
Makinat Lowrider janë bërë sinonim i muzikës rep, por drejtuesit e tyre, pjesëtarë të komunitetit meksiko-amerikan Chicano, kanë një tjetër preferencë muzikore: baladat e ëmbla soul. Pionierët e kësaj kulture dhe muzikantët që e mbajnë gjallë tregojnë se si kjo nënkulturë, dikur shënjestër e policisë, u shndërrua në një pjesë të vlerësuar të trashëgimisë kulturore të Los Anxhelosit.
“Low Rider njeh çdo rrugë”, këndonte grupi War në këngën e tij të famshme Low Rider, të publikuar në vitin 1975, një himn kushtuar makinave të personalizuara që qarkullonin në lagjet lindore dhe jugore të Los Anxhelosit. Ato dalloheshin nga karroceria e ulët dhe sistemet hidraulike të pezullimit, që u mundësonin të lëviznin ngadalë, të ngriheshin e të kërcenin mbi rrota.
Më vonë, filmat që trajtonin jetën e komunitetit afro-amerikan në Los Anxhelos, si Boyz n the Hood, si dhe videot muzikore të Snoop Dogg dhe Dr. Dre, i bënë këto makina edhe më të njohura. Kamera ndalej mbi bojatisjet artistike të karrocerive dhe sistemet hidraulike që i bënin automjetet të lëviznin në mënyrë spektakolare.
Por Lowrider nuk ishte një shpikje e botës së repit. Kjo kulturë automobilistike lindi pas Luftës së Dytë Botërore në komunitetin meksiko-amerikan Chicano të Los Anxhelosit. Dhe drejtuesit e këtyre makinave nuk dëgjonin rep, por atë që më vonë do të njihej si Lowrider Soul: këngë R&B me karakter melankolik e romantik, të cilat edhe sot mbeten kolona zanore e preferuar e shëtitjeve të tyre me makina.
Këtu qëndron edhe një paradoks interesant. Baladat e dashurisë nuk janë pikërisht ajo që mund të prisje nga këta shoferë, të cilët shpesh kanë reputacionin e njerëzve të ashpër, të lidhur me rrugën dhe botën e bandave.
“Po, këta djem ishin tipa të fortë, shumë prej tyre të kalitur në rrugë dhe në burgje, por njëkohësisht ishin jashtëzakonisht romantikë”, thotë Luis J. Rodriguez, poeti dhe shkrimtari i njohur Chicano, i cili u rrit duke ndërtuar dhe drejtuar makina Lowrider.
“Mendoj se shumë prej nesh kapeshin pas iluzioneve të familjes dhe shtëpisë, sepse nuk kishim pasur familje apo shtëpi të mira. Ato këngët e vjetra R&B preknin diçka shumë të thellë brenda nesh.”
Nga shënjestra e policisë në trashëgimi kulturore
Kjo nënkulturë e veçantë, ku automobilizmi ndërthuret me muzikën, po përjeton një periudhë ringjalljeje. Në tetor 2023, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, nënshkroi ligjin AB 436, i cili hoqi kufizimet shtetërore ndaj makinave Lowrider dhe i dha fund mundësisë që bashkitë të ndalonin lëvizjen e tyre në rrugët publike. Ligji hyri në fuqi më 1 janar 2024.
Kufizimet kishin ekzistuar për dekada dhe u jepnin autoriteteve mundësinë të ndëshkonin drejtuesit, t’u pezullonin patentat, madje edhe t’u sekuestronin automjetet. Disa ligje ndalonin modifikimin e makinave në mënyrë që shasia të qëndronte shumë pranë sipërfaqes së rrugës, ndërsa të tjera ndalonin të ashtuquajturin cruising: qarkullimin e përsëritur të së njëjtës makinë në një segment të caktuar rruge, brenda një periudhe të kufizuar kohore.
Kufizimet e para u shfaqën në vitin 1958, ndërsa gjatë viteve 1980 kontrollet u ashpërsuan. Policia e Los Anxhelosit, LAPD, i shihte shpesh drejtuesit e Lowrider-ave si pjesëtarë bandash ose shpërndarës droge. Komuniteti Chicano kundërshtonte se këto masa nuk synonin thjesht rregullimin e trafikut, por përdoreshin për të ngacmuar dhe diskriminuar një komunitet të tërë, i cili kërkonte vetëm të shëtiste me makinat e tij dhe të dëgjonte muzikën e preferuar, të njohur si oldies.
“Ato ligje u përdorën nga policia për të ndjekur një komunitet të margjinalizuar”, thotë Rodriguez. “Tani, shëtitjet me Lowrider janë rikthyer.”
Një muzikë që kapërceu kufijtë racorë
Në kohën kur u shkrua reportazhi, Muzeu i Automobilave Petersen në Los Anxhelos priste ekspozitën Best in Low, kushtuar makinave Lowrider dhe kulturës që është zhvilluar rreth tyre. Ndërkohë, albumi i dytë Got a Story to Tell i grupit Thee Sacred Souls, nga San Diego, po e çonte muzikën Lowrider Soul drejt një publiku ndërkombëtar.
“Lowrider Soul ka ekzistuar gjithmonë, por vetëm kohët e fundit ky emërtim ka filluar të tërheqë gjithnjë e më shumë vëmendje, ndërsa njerëzit po i bëjnë homazh asaj epoke”, thotë Alex Garcia, baterist dhe bashkëthemelues i grupit.
“Souli nisi si muzikë e komunitetit afro-amerikan, por komuniteti Chicano e përqafoi atë”, shton këngëtari Josh Lane. “Disa prej grupeve dhe DJ-ve të tyre ruajtën elemente të kësaj muzike që po liheshin pas dore në komunitetin afro-amerikan, ndërsa souli po zhvendosej drejt funk-ut dhe formave të tjera të R&B-së. Ekziston një lidhje mes kulturave muzikore të zezakëve dhe latino-amerikanëve, një lloj shtrëngimi duarsh, si të thuash. Është diçka mbresëlënëse. Unë e shoh Lowrider Soul si një akt të fuqishëm bashkimi mes dy komuniteteve.”
Në mesin e shekullit XX, Los Anxhelosi ishte një nga qytetet më të segreguara racialisht në perëndim të lumit Misisipi. Diskriminimi krijoi, paradoksalisht, një urë lidhëse mes muzikantëve afro-amerikanë dhe komunitetit Chicano.
“Në vitet 1950 dhe 1960, grupet muzikore me ngjyrë nuk lejoheshin të performonin në shumë prej klubeve të Hollivudit, të cilat zbatonin politika raciste”, kujton Rodriguez. “Koncertet e muzikës soul, nga Johnny Otis deri te artistët e Motown-it, përfunduan në sallat e vallëzimit dhe klubet kryesisht meksikane të pjesës lindore të qytetit. Të rinjtë Chicano, por edhe shumë filipinas, u bënë admiruesit e tyre më besnikë.”
Rodriguez sjell në vëmendje edhe grupet Chicano që luanin R&B dhe krijuan atë që u njoh si Eastside Sound, tingulli karakteristik i pjesës lindore të Los Anxhelosit. Ndër emrat më të njohur ishin Sunny & the Sunliners, The Premiers, Cannibal & the Headhunters dhe Thee Midniters. Këto grupe u bënë pjesë e kolonës zanore të kulturës Lowrider.
“Ato tingëllonin si grupet afro-amerikane, por u shtonin muzikës edhe veçantitë e tyre”, shpjegon Rodriguez.
Baladat e rralla dhe rikthimi i Lowrider Soul
Sot, Garcia vlerëson veçanërisht punën e koleksionistëve të disqeve, të cilët kanë nxjerrë sërish në dritë regjistrime të rralla të asaj periudhe dhe i kanë rikthyer në qarkullim.
“Ekziston një lidhje e vërtetë me skenën britanike të Northern Soul. Ndonjëherë, koleksionistët e Northern Soul dhe ata të Lowrider Soul kërkojnë të njëjtin disk”, thotë ai. “Por ka një dallim: koleksionistët britanikë parapëlqejnë këngën ritmike në anën A të diskut, ndërsa adhuruesit e Lowrider Soul kërkojnë baladën në anën B.”
Ky dallim u trajtua edhe në përmbledhjen muzikore të vitit 2019, This Is Lowrider Soul 1962–1970, publikuar nga Kent Records. Albumi përmban 24 balada të përzgjedhura nga DJ britanikë dhe amerikanë, të cilët u bashkuan nga pasioni për regjistrimet e rralla të muzikës soul.
Thee Sacred Souls është një nga grupet që po e përtërijnë këtë traditë, duke krijuar materiale të reja, por duke ruajtur tingullin analog dhe atmosferën karakteristike të zhanrit.
Një tjetër grup i rëndësishëm është Thee Sinseers, i cili në kohën e publikimit të reportazhit ishte përgatitur të performonte në Jazz Cafe të Londrës. Garcia vlerëson veçanërisht drejtuesin e grupit, Joey Quinones, për kontributin e tij në rikthimin e muzikës klasike soul në Kaliforninë Jugore.
Të dy grupet përdorin fjalën “Thee” në emrin e tyre si homazh për Thee Midniters, grupin e famshëm të viteve 1960 nga pjesa lindore e Los Anxhelosit, i cili vazhdon të nderohet nga adhuruesit e muzikës soul dhe rock-ut garazh.
Nga një nënkulturë lokale në një fenomen ndërkombëtar
“Lowrider-at tashmë janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Los Anxhelosit”, thotë Rodriguez. “Në shumicën e takimeve të tyre sheh familje, njerëz të moshuar dhe shumë rrallë drogë apo dhunë.”
Sipas tij, përhapja ndërkombëtare e kësaj kulture ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për të. Një rol të veçantë kanë luajtur edhe Lowrider-at japonezë, të cilët e kanë përqafuar këtë traditë dhe u kanë shprehur respekt Chicano-ve si krijuesit e saj.
“Jam i lumtur që kam jetuar aq gjatë sa të shoh këtë dashuri dhe respekt”, përfundon Rodriguez.
Kultura Lowrider, e lindur në lagjet e komunitetit meksiko-amerikan të Los Anxhelosit, ka kapërcyer kufijtë e origjinës së saj. Ajo nuk është më thjesht një mënyrë për të modifikuar makinat apo për të kaluar kohën në rrugët e qytetit. Është shndërruar në një shprehje identiteti, kujtese dhe përkatësie kulturore, ku makinat e personalizuara dhe baladat e vjetra soul vazhdojnë të ecin krah për krah.
