Last Updated on 05/11/2026 by Monika
Policia e Kosovës, gjatë një operacioni si pjesë e hetimeve kundër lojërave të fatit, ka arrestuar 22 persona në Prizren, Suharekë dhe Dragash.
Hetimet janë zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, me mbështetjen dhe ndihmën e stacioneve policore dhe njësive të tjera policore të Rajonit të Prizrenit, raporton KosovaPress.Në kuadër të këtij plani operativ dje janë kontrolluar 20 lokacione nën dyshimin për zhvillimin e aktiviteteve ilegale të bixhozit, përkatësisht organizimit të lojërave online të fatit.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar materiale të ndryshme që mund të shërbejnë si prova dhe dëshmi lidhur me dyshimin e bazuar se të dyshuarit e identifikuar kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, duke përfshi para kesh rreth 10 mijë euro dhe pajisje elektronike. Gjithashtu janë sekuestruar katër armë zjarri dhe municion.
Pas intervistimit të të dyshuarve, në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorisë, 19 prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa tre janë liruar në procedurë të rregullt./MXH
