Last Updated on 06/11/2026 by Anisa
Tetë persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë pas një serie sulmesh me armë zjarri në provincën Afyonkarahisar, në perëndim të Turqisë. Autori i dyshuar është arrestuar pas një operacioni kërkimi të zhvilluar nga autoritetet.
Ngjarjet ndodhën të enjten, ndërsa viktimat u gjetën në disa zona të ndryshme, brenda tre automjeteve. Sipas raportimeve të mediave vendase, tre persona u vranë pranë fshatit Ayazini dhe tre të tjerë në afërsi të fshatit Kiyir. Ndërkohë, në Yukaritandir, dy gra u gjetën të plagosura dhe më vonë ndërruan jetë në spital.
Mes viktimave raportohet se janë edhe dy mësues.
Pas sulmeve, i dyshuari u largua nga vendngjarja, duke shkaktuar nisjen e një operacioni të gjerë policor. Autoritetet njoftuan më vonë se ai ishte arrestuar në provincën Eskişehir.
Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga mediat turke, tregojnë një person të veshur me xhaketë të zezë, pantallona të bardha dhe syze, i cili mban në duar një armë të gjatë pranë një furgoni të kuq.
Sipas gazetës “Milliyet”, automjeti që dyshohet se ishte marrë nga autori u gjet më vonë i bllokuar në baltë. Ai e kishte braktisur mjetin dhe ishte larguar në këmbë.
Policia mbylli rrugët që të çonin drejt fshatrave ku ndodhën sulmet, ndërsa vijonte operacioni për kapjen e autorit./ad
