Last Updated on 06/11/2026 by Anisa
Një emër i ri është zbuluar në misterin e largimit të senatorit brazilian Flávio Bolsonaro drejt Shteteve të Bashkuara, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar. Bëhet fjalë për Fernando Martín Boyé, një biznesmen dhe pilot me shtetësi argjentinase, i cili jeton në Miami dhe dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës në pagesën prej 150 mijë dollarësh për avionin privat.
Sipas një burimi të përfshirë në operacion, i cili foli për agjencinë franceze të lajmeve AFP në kushte anonimiteti, Boyé ishte personi që ndërmjetësoi transaksionin financiar për fluturimin që çoi Bolsonaro-n nga Argjentina drejt Floridës.
Drejtuesi i kompanisë argjentinase të aviacionit privat Baires Fly, Luis Grande, kishte deklaruar më herët se pagesa prej 150 mijë dollarësh ishte kryer nga një ndërmjetës që jetonte në SHBA. Paratë ishin transferuar nga një llogari bankare amerikane në një llogari në Argjentinë. Grande refuzoi të zbulonte identitetin e tij, duke pretenduar se nuk e dinte se për llogari të kujt po vepronte ndërmjetësi.
Sipas burimeve të AFP-së, personi në fjalë është Fernando Martín Boyé. Ai rezulton të ketë të paktën dy kompani në Miami, Emerald Aviation dhe Huracan USA. Megjithatë, nuk ka dhënë përgjigje për kërkesat e agjencisë për koment.
Dy burime të pavarura nga sektori i shërbimeve të aviacionit konfirmuan gjithashtu se Boyé dhe Luis Grande njiheshin prej kohësh dhe kishin pasur marrëdhënie financiare në të kaluarën.
Roli i Jason Miller dhe Marco Rubio
Flávio Bolsonaro mbërriti në Florida më 28 tetor, së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat, pasi ishte larguar natën nga qyteti argjentinas Puerto Iguazú, pranë kufirit me Brazilin.
Ai udhëtoi me një avion privat të kompanisë Baires Fly, duke kaluar përmes Ekuadorit. Largimi ndodhi pasi pasaportat e tij ishin anuluar në kuadër të një hetimi për dyshime për pastrim parash.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, organizimi i avionit ishte bërë me ndërhyrjen e Jason Miller, këshilltar për komunikimin i presidentit Donald Trump.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Uashingtoni nuk kishte pasur përfshirje të drejtpërdrejtë në organizimin e largimit të djalit të ish-presidentit brazilian.
Nën hetim edhe qeveria e Javier Milei-t
Misteri tashmë është zhvendosur edhe drejt Argjentinës. Të enjten, prokurorja Paloma Ochoa kërkoi nisjen e një hetimi për të verifikuar nëse qeveria e presidentit Javier Milei kishte përdorur fonde publike për të lehtësuar largimin e Flávio Bolsonaro-s.
Hetimi synon të zbardhë nëse autoritetet argjentinase kanë ndihmuar në organizimin e udhëtimit dhe nëse janë përdorur burime shtetërore për të mundësuar largimin e tij drejt SHBA-së.
Vetë Flávio Bolsonaro i ka mohuar këto pretendime. Në një intervistë për The New York Times, të publikuar të enjten, ai deklaroi se nuk ishte ndihmuar nga asnjë qeveri për t’u larguar nga Brazili.
“Sekretin do ta marr me vete në varr”, u shpreh ai, duke refuzuar të japë detaje të tjera mbi mënyrën se si u organizua udhëtimi./ad
