Last Updated on 09/11/2026 by Anisa
Analisti Mustafa Nano ka komentuar në emisionin e tij “ARNAUTISTAN” situatën politike në vend pas protestave të muajve të fundit, duke deklaruar se protesta ka marrë fund, por duke i drejtuar një sërë sugjerimesh kryeministrit Edi Rama për reforma që, sipas tij, duhet të ndërmerren gjatë kohës që ai është në krye të qeverisë.
Nano u ndal te ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të cilat u realizuan pas një marrëveshjeje mes Edi Ramës, në atë kohë kryetar i Partisë Socialiste, dhe Sali Berishës, asokohe kryeministër. Sipas analistit, fakti që dy politikanë mund të vendosin për ndryshime kaq të rëndësishme kushtetuese përbën një anomali të sistemit politik shqiptar.
Ai theksoi se një nga shqetësimet që ushqeu pakënaqësinë qytetare dhe protestat ishte pikërisht përqendrimi i pushtetit politik në duart e dy figurave, të cilat, sipas tij, kanë mundësinë të vendosin për çështje madhore të vendit.
“Ai duhet të synojë një numër reformash për sa kohë që është aty kryeministër. Unë e di, unë po bëj disa sugjerime që nuk pres që kryeministri t’i marrë në konsideratë, por pres që kryeministri të pyesë veten: mos ka ndonjë gjë racionale te gjërat që po thotë ky robi, apo edhe robër të tjerë si puna ime, nëpër studio të tjera apo në mjedise të tjera publike, apo në foltore të tjera? Atëherë po bëhem më konkret. Kryeministri, sipas meje, duhet t’u rikthehet ndryshimeve kushtetuese që janë kryer në vitin 2008. Kanë qenë ndryshime kushtetuese që u bënë të mundura vetëm në sajë të një takimi apo negociate kokë më kokë midis Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ka qenë koha kur ky i fundit ishte kryeministër dhe Edi Rama ishte kryetar i Partisë Socialiste në vitin 2008. Po, ai ishte kryetar i Partisë Socialiste, ishte bërë, kishte dy-tre vjet që ishte bërë kryetar i Partisë Socialiste. U bënë bashkë këta dy njerëz kokë më kokë dhe bënë ndryshime shumë të rëndësishme kushtetuese. Ja, kjo është anomalia e parë e sistemit tonë: mjaftojnë dy njerëz, këta të dy, për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të bërë ndryshimet që ata duan. Dhe ndërkohë, e gjithë pjesa tjetër, e gjithë Shqipëria, minus këta të dy, nuk e ka këtë fuqi për të bërë ndryshime kushtetuese, qoftë nëpërmjet referendumit, qoftë nëpërmjet formave të tjera. Kjo është anomalia e parë e sistemit politik në Shqipëri: dy njerëz kanë një fuqi monstruoze, një fuqi të jashtëzakonshme. Atyre ndoshta u pëlqen kjo gjë, por duhet ta dinë që baza e shqetësimit të madh popullor që u bë shkak edhe për protestat ishte, përveç të tjerash, një numër gjërash – do t’i them edhe më poshtë – fakti që shqiptarët nuk duan më, nuk po durojnë dot më që dy vetë të bëjnë çfarë duan në këtë vend”, shprehet Nano.
Një tjetër propozim i analistit lidhet me përfaqësimin e partive të reja dhe të vogla në Kuvend. Sipas tij, sistemi zgjedhor duhet të ndryshojë në mënyrë që këto forca politike të kenë më shumë mundësi për të hyrë në Parlament.
“Mendoj që ne kemi nevojë dramatike për prezencën e partive të reja dhe të vogla në Parlament. Dhe prandaj ligji duhet ndryshuar. Dhe kryeministri Rama mund ta marrë, mund ta ndërmarrë këtë nismë. Dhe po e ndërmori ai, Partia Demokratike mund edhe të mos e dojë, por do të ndodhet në një pozitë të vështirë. Dhe do t’i shkojë pas midesë. Dhe kjo gjë do të bëhet e mundur. Ligji elektoral pati problemin e listave të mbyllura. Sigurisht, përpara dy-tre vitesh u bë një përpjekje për t’i hapur pak listat, por ishte një përpjekje hileqare, një përpjekje e ndyrë. Pra, po bënim, po bëjmë këtë teatrin e hapjes së listave, por në fakt nuk i hapën. Sepse pjesa e parë e listave, pjesa e sigurt e listave, ajo mbeti gjithsesi e mbyllur. Mbeti e mbyllur me ligj. Pra, Berisha dhe Rama e lanë kështu, sepse donin që pjesën e sigurt të listave ta komandonin ata, ta zgjidhnin ata. Që t’i kontrollonin lehtë. Ashtu siç i kontrollojnë. Kjo duhet eliminuar në mënyrë urgjente. Listat duhet të bëhen 100% të hapura. Në Parlament duhet të shkojë ai që merr më shumë vota. Ja, kaq e thjeshtë është. Është shumë logjike. Bën sens e gjitha.”/fjala.al-ad
