Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi i ftuar në emisionin Noë me Erla Mëhillin ka komentuar rastin e të miturit i cili u gjobit me 5 milionë lekë nga Policia për shkak të pjesëmarrjes së tij në protestë.
Pas publikimit të rastit, u zbulua dhe gjendja e mjerueshme në të cilën jetonte i mituri, gjë e cila sensibilizoi qytetarët shqiptarë ta ndihmonin.
Teksa ka komentuar rastin, Shehi u shpreh se gjobat janë marrë si masë për të trembur njerëzit dhe ata që e pësojnë më së shumti janë të varfërit.
“Gjoba është bërë për t’i trembur sepse në protestë mund të bëjë rrëmujë edhe djali i arkitektit, që mund të ketë para sa të duash. Por kjo është bërë për t’i trembur të gjithë dhe, kur të tremben të gjithë, ai fukaraja trembet më shumë, se gjithmonë i vogli, i varfri e pëson.
Mbledhja e lekëve për të është tregues se një mori njerëzish kanë sensibilitet për këtë situatë. Ai djali mund të ketë nevojë edhe për ato lekë, por brenda këtyre 130 mijë eurove, është mbështetja morale për qindra raste të tjera.
Gjoba atij është 5 mijë euro, ata kanë mbledhur 10 deri 50-fishin e asaj shume. Kjo tregon se një pjesë e shoqërisë ka fituar vlera që janë njerëzore, me pasion, shtoji këtu dhe inatin për qeverinë dhe gjërave të tjera që e ushqejnë këtë punë.
Kjo tregon se shoqëria po emancipohet dhe, kur kësaj i shtohet dëshira për t’ia thyer hundët qeverisë, më bëhet dy herë qejfi që shqiptarët po bëhen më të ndjeshëm ndaj fatkeqësisë së tjetrit, por edhe më trima për t’ia kthyer dorën autokracisë. Ishalla shkon 1 miliard ajo shumë për djalin”, tha Shehi./k.m
