Po sikur udhëtimi juaj i radhës të ishte edhe një mundësi për të njohur dashurinë e jetës? Finlanda ka një ofertë paksa të pazakontë për beqarët: një udhëtim katërditor me të gjitha shpenzimet e paguara, ku përveç eksplorimit të vendit, ushqimit të mirë dhe përvojave kulturore, mund të krijohen edhe njohje të reja romantike.
Përmes iniciativës Finland Dinner Date, organizata zyrtare e turizmit të vendit, Visit Finland, po kërkon 16 beqarë nga e gjithë bota për t’u bërë pjesë e kësaj eksperience në shkurt të vitit 2027. Bileta e avionit, akomodimi, ushqimi dhe aktivitetet do të mbulohen nga organizatorët.
Ideja është frymëzuar nga një trend që është bërë i njohur në Finlandë, i quajtur sinkkukori, ose ndryshe “shporta e beqarëve”. Në disa supermarkete finlandeze, personat që janë beqarë mund të zgjedhin një shportë rozë pazari për të sinjalizuar në mënyrë diskrete se janë të hapur për njohje të reja. Tashmë, kjo ide është kthyer në një eksperiencë të plotë udhëtimi.

Çfarë përfshin udhëtimi?
Eksperienca do të zhvillohet nga 9 deri më 19 shkurt 2027, me dy destinacione të mundshme: Helsinki dhe Tampere. Tetë pjesëmarrës do të udhëtojnë drejt secilit qytet, ku do të kalojnë katër ditë me aktivitete kulinare dhe kulturore, ture, eksplorime në natyrë dhe vizita në sauna.
Momenti kryesor do të jetë një darkë speciale, ku tetë beqarët ndërkombëtarë të secilit destinacion do të takojnë edhe dy beqarë finlandezë. Menuja do të jetë një eksperiencë më vete, e përgatitur nga shefa të njohur kuzhine në vend.
Në Helsinki, darka do të konceptohet nga Adele Kinnunen, shefja e Café Savoy, ndërsa në Tampere përgjegjës për përvojën kulinare do të jetë Henry Tikkanen, pronar i restorantit Gösta.
Visit Finland do të mbulojë fluturimet vajtje-ardhje, akomodimin në dhoma private, vaktet dhe të gjitha aktivitetet e planifikuara. Megjithatë, pjesëmarrësit nuk do të mund ta zgjedhin vetë qytetin ku do të qëndrojnë, pasi destinacioni do të caktohet nga organizatorët.
Duhet theksuar se kjo nuk është një agjenci takimesh dhe as një garanci për të gjetur partnerin e ardhshëm. Bëhet fjalë për një aktivitet në grup, ku qëllimi është të ndërthuren udhëtimi, gastronomia dhe njohja me njerëz të rinj.

Si mund të aplikoni?
Nëse jeni beqarë, mbi 18 vjeç dhe jetoni jashtë Finlandës, mund të aplikoni për t’u bërë një nga 16 pjesëmarrësit e përzgjedhur. Nisma është e hapur për kandidatë nga e gjithë bota, me përjashtim të qytetarëve dhe banorëve finlandezë.
Për të marrë pjesë, duhet të krijoni një video në anglisht, duke iu përgjigjur pyetjes: “Çfarë do të shërbenit për darkë me një person me të cilin po dilni dhe pse?”
Videon duhet ta publikoni në Instagram, TikTok ose YouTube, duke përdorur hashtagun #FinnishDinnerDate dhe duke etiketuar llogaritë zyrtare të Visit Finland.
Pas këtij hapi, duhet të plotësoni formularin zyrtar të aplikimit online dhe të vendosni lidhjen e videos suaj.
Kandidatët do të vlerësohen nga një panel mbi bazën e kreativitetit, autenticitetit dhe mënyrës personale se si i përgjigjen pyetjes. Organizatorët synojnë të përzgjedhin një grup sa më të larmishëm, duke përfaqësuar vende, grupmosha dhe prejardhje të ndryshme.
Afati i aplikimit është 10 nëntor 2026, në orën 11:59 sipas orës finlandeze. Fituesit do të kontaktohen personalisht, ndërsa emrat e tyre do të bëhen publikë më 1 dhjetor 2026 në llogaritë zyrtare të Visit Finland.
Një detaj i rëndësishëm: të përzgjedhurit do të kenë vetëm 48 orë për t’iu përgjigjur njoftimit dhe për të konfirmuar pjesëmarrjen. Në të kundërt, vendi i tyre mund t’i kalojë një kandidati tjetër.
Pra, nëse jeni beqarë dhe nuk e keni problem t’i besoni pak rastësisë, ndoshta takimi juaj i ardhshëm nuk do të jetë në një lokal pranë shtëpisë, por në një darkë në Finlandë./k.m
