Last Updated on 11/11/2026 by EL
Nga Ylli Pata
Roma, Perandoria më e madhe dhe e lavdishme e botës sot nuk ekziston më, por historia dhe trashëgimia e saj është e përjetshme.
Institucionet e saj janë referime për botën perëndimore, ndërsa ngjarjet kulmore të saj kanë ushqyer ndër vite shkrimtarët e artistët më të njohur të të gjitha kohrave. Deri në rënien e saj, Roma ka pasur shumë shtetarë, senator e perandorë, por bota mban mend pak prej tyre. Mbahet mend Çezari i madh, vrasësit e tij, Bruti e Cassiusi, mbrojtësit e tij Marcantoni e Octaviani që u bë Perandori i parë, mbahet mend Kostandini që shpalli krishtërimin si fe zyrtare dhe ndau Romën në dy pjesë. Ndërkohë ngjarjet që kanë mbetur më shumë si gjurmë e ndërgjegjes historike të Romës së madhe janë “Il Saçi di Roma”, përkatësisht djegiet e saj.
Të cilët kanë qenë disa, e konsiderohen edhe sot si ngjarjet që kanë shkaktuar më shumë vragë në trupin e qytetit të përjetshëm, por më tepër në jetën e njerëzve të saj.
Pasi një diegie nuk është vetëm një zjarrvënie, është një akt vandal, barbar, është një gjuhë e qartë kundrejt qytetarëve të tjerë. “Digje, digje”, është refreni barbar i stinës së frikshme që e ka tulatur jo vetëm Tiranë por edhe vendin prej njerëzve që arsyeja u kishte ikur për lesh. E kujtuan se deti u bë kos dhe ferra kishte marrë uratën.
Sot që gjërat kanë ardhur në rendin normal, ku në një vend të NATO-s nuk mund të rrëzosh një qeveri të ardhur me votë nëpërmjet dhunës, vijon një retorikë tjetër. Ajo e justifikimit të diegies me anatagonizmin politik ndaj qeverisë, mazhorancës socialiste dhe Edi Ramës.
E gjitha kjo nuk është aspak gjë e re, pasi prej vitesh ka një pjesë që përdor zjarr e hekur kundër Edi Ramës dhe kryeministrisë. Që nga 2017-a, 2019-a, 2021-I e me radhë me radhë.
Por këtë herë përveç këpurdhës së kryeministrisë apo dyerve të selisë më të rëndësishme të shtetit, u kthyen të djegin qytetin, si një shenjë force, se siç e thanë vetë: “nuk janë brezi i patatinave, por gjenerata e urnave dhe piromanëve”.
Është pikërisht kjo vulë, kjo markë që do të shënojë politikisht të gjithë protagonistët, por edhe përkrahësit e kësaj barbarie që do t’i shoqërojë në zgjedhjet e ardhshme. Madje edhe nëse sjellin ndonjë djalë të qetë e të mirë, të cilit pyetja që do t’i serviret në fushatë, do të jetë: Ç’mendon për djegien e Tiranës!/et
