Last Updated on 11/11/2026 by EL
Inflacioni në Kosovë ka arritur në 7.1%, duke rënduar gjithnjë e më shumë buxhetin e familjeve. Rritja e çmimeve po ndihet veçanërisht te produktet bazë të shportës së konsumatorit, të cilat përbëjnë shpenzimet më të domosdoshme për qytetarët.
Ekonomisti Jakup Bellaqa, i ftuar në një intervistë televizive, theksoi se ndikimi i inflacionit është më i ndjeshëm pikërisht te produktet esenciale, për të cilat qytetarët nuk mund të heqin dorë.
“Inflacioni ndikon më shumë te shporta e konsumatorit, te produktet bazë me të cilat ne duhet të ushqehemi, t’i konsumojmë dhe t’i blejmë, sepse janë esenciale”, u shpreh Krasniqi.
Sipas tij, Kosova, si një ekonomi e vogël dhe në zhvillim, është më e ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa varësia nga importet ndikon drejtpërdrejt në kostot që përballojnë konsumatorët.
Bellaqa nënvizoi se përveç produkteve ushqimore, në shtrenjtimin e jetesës ndikojnë edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike, naftës dhe lëndëve të para.
Ai vlerësoi se institucionet duhet të ndërmarrin politika subvencionuese për të zbutur pasojat e inflacionit, veçanërisht për kategoritë sociale dhe pensionistët.
“Duhet të ketë politika subvencionuese nga shteti, në mënyrë që të zbutet ndikimi i inflacionit te qytetarët”, theksoi ekonomisti.
Një tjetër zgjidhje, sipas tij, është fuqizimi i prodhimit vendor, në mënyrë që Kosova të ulë varësinë nga importet dhe të garantojë furnizim më të qëndrueshëm me produkte bazë.
Sipas tij, zhvillimi i prodhimit vendas do të ndihmonte në përmbushjen e kërkesës së brendshme dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës./ET
