Historiani dhe profesori i njohur, Aurel Plasari ka reaguar pro mbrotjes së Klubit “Labëria”, monumentit të trashëgimisë kulturore në rrethin e Vlorës.
Prej disa kohësh debati për ndërtimin e Muzeut Hebraik Shqiptar në Vlorë, është shoqëruar me pretendime se projekti po realizohet në godinën historike të Klubit Patriotik “Labëria”. Debati lindi kur nisi puna për projektin e Muzeut Hebraik.
Pjesë e opinionit publik, historianë, qytetarë dhe shoqata si Shoqata “Labëria – Nderi i Kombit”, ngritën shqetësimin se mund të prekej ose tjetërsohej godina historike ku është themeluar Klubi Atdhetar “Labëria”, një nga simbolet e lëvizjes kombëtare.
Në një postim në “Facebook”, Plasari ka deklaruar se, monumentet e trashëgimisë kulturore nuk janë thjesht asete turistike, por janë shkollë që brezat e rinj mund të njihen me historinë e vendit të tyre. Me anë të këtij postimi, profesor Plasari i është bashkuar mendimeve kundër këtij projekti.
Postimi i plotë:
“PRO MBROJTJES SË KLUBIT “LABËRIA” ! Kundër – krejtësisht kundër – tjetërsimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore.
Monumentet e trashëgimisë kulturore nuk janë thjesht “asete turistike”. Sidomos nuk janë të tilla për atë shumicë turistësh, të cilët i shijojnë nëpër foto sitet historike që nuk kanë pasur kohë t’i shijojnë në vend ngase kanë qenë të zënë duke bërë fotot.
Monumentet e trashëgimisë kulturore janë shkollë e gjallë për brezat e rinj të njëpasnjëshëm për një njohur historinë e vendit të tyre, për ta respektuar atë, mirë do të ishte edhe për ta dashuruar. fb a.p.”, shkruan Plasari./k.m
