Last Updated on 12/11/2026 by Anisa
Sofia Moreira de Sousa, ambasadore e Bashkimit Europian në Shqipëri, ka qenë dje në ambientet e KQZ dhe zbardh takimin e zhvilluar me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi. Ajo thotë se koha deri në zgjedhjet lokale të 9 Majit është e kufizuar ndaj të gjitha palët duhet të angazhohen për procesin.
“Disa rekomandime të kahershme të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, të evidentuara edhe në Raportin e vitit 2026 për Shqipërinë, mbeten ende pa u adresuar”, thotë ambasadorja, duke theksuar se votuesit, partitë politike dhe administrata zgjedhore duhet t’i kenë të qarta rregullat shumë përpara ditës së zgjedhjeve.
“U takova me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për të diskutuar reformën zgjedhore dhe përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Koha është e kufizuar. Votuesit, partitë politike dhe administrata zgjedhore duhet t’i kenë të qarta rregullat shumë përpara ditës së zgjedhjeve. Disa rekomandime të kahershme të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, të evidentuara edhe në Raportin e vitit 2026 për Shqipërinë, mbeten ende pa u adresuar.
Diskutuam gjithashtu për transparencën e fushatave zgjedhore dhe rëndësinë e një administrate zgjedhore të pavarur dhe profesionale. BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Komisionin përmes ekspertizës teknike”, Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.
