“Veliaj, luftë për partinë dhe jo për lirinë” ishte tema e diskutuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ku analisti Andi Bushati komentoi përplasjet e fundit mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryeministrit Edi Rama.
Bushati u shpreh se mbetet e paqartë se çfarë raporti ka Veliaj me të vërtetën në deklaratat e tij të fundit, ndërsa theksoi se marrëdhëniet mes tij dhe Ramës duket se janë ndërprerë.
Sipas analistit, pikëpyetjet mbi atë se kush e çoi Veliajn në burg tashmë kanë marrë fund. Ai parashtroi dy mundësi: ose Rama ka urdhëruar SPAK-un dhe GJKKO-në të veprojnë ndaj tij, ose u ka dhënë sinjalin se mund të ndërmerrnin të njëjtin veprim edhe ndaj Veliajt.
“Për t’i vënë gjërat në peshore, ne kemi vetëm versionin e Veliajt. Se çfarë raporti ka Veliaj me të vërtetën, duhet të jemi me një mijë pikëpyetje. Por ka disa gjëra që të lënë të kuptosh se mes Ramës dhe Veliajt janë këputur raportet. Kjo ngre pikëpyetje, jo te të drejtat e një të burgosuri. Por kur një i burgosur që nuk e do Rama a ka trajtim të ndryshëm nga burgu apo qoftë nga SPAK-u dhe GJKKO-ja? Ka marrë fund pyetja se kush e futi në burg Erion Veliajn.Se pati pikëpyetje në fillim me reagimin e Ramës. Sot Veliaj është një i burgosur dhe ose Rama ka urdhëruar SPAK-un dhe GJKKO-në, ose Rama i ka shkelur syrin, duke u thënë: “Keni leje të merrni edhe këtë”, tha Bushati./ad
