Last Updated on 13/11/2026 by Klara
Ish-inspektori i pavarur i Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Milan Zvezdanoviç, ka deklaruar se ka informacione jozyrtare se Milan Radoiçiç është larguar nga territori i Serbisë dhe dyshohet se ka shkuar në Rusi.
Duke folur për televizionin N1, Zvezdanoviç tha se informacionet e tij, të siguruara nga burime brenda BIA-s, tregojnë se Radoiçiç ndodhet jashtë Serbisë.
I pyetur nëse largimi i tij është bërë me leje apo në mënyrë të paligjshme, ish-inspektori u përgjigj se, për sa kohë në pushtet është Partia Përparimtare Serbe (SNS), Radoiçiçit nuk i është dashur leje. “Atij nuk i nevojitej leja”, deklaroi Zvezdanoviç.
Sipas tij, largimi i Radoiçiçit ka shkaktuar shqetësim edhe në një pjesë të drejtuesve të lartë të BIA-s, të cilët, sipas pretendimeve të tij, kishin lidhje biznesi dhe kriminale me të.
Radoiçiç, i cili është nën hetim për ngjarjet e përgjakshme në Banjskë të Kosovës më 24 shtator 2023, kishte masë sigurie që i ndalonte largimin nga Serbia. Gjykata i kishte sekuestruar pasaportën dhe e kishte detyruar të paraqitej në stacionin policor çdo datë 1 dhe 15 të muajit.
Megjithatë, N1 raporton se ende nuk ka marrë përgjigje nga Gjykata e Lartë lidhur me faktin nëse Radoiçiç i është përmbajtur rregullisht detyrimit për paraqitje në polici.
Kujtojmë se Radoiçiç ka pranuar përmes avokatëve se kishte organizuar personalisht sulmin në Banjskë, ndërsa në atë kohë mbante postin e nënkryetarit të Listës Serbe, nga i cili dha dorëheqjen pas ngjarjeve./k.m
