Last Updated on 15/11/2026 by Anisa
Nga Agron Gjekmarkaj
Babua erdhi si Çiçikovi në asamble, me një pyetje që i rëndonte në kokë si çekan: nëse njeriu mund të jetë i gjallë fizikisht, por shpirtërisht i vdekur, bujkërobërit e tij janë vetëm emra në listë apo njerëz dikur të gjallë?!
Kjo tollovi mendimesh i zgjati derisa vezët ranë mbi makinën e tij si breshër!!
Përsiatjeve u zunë vendin zemërimi, mllefi, hakërrimi e kusure të tjera! Vera qe e hidhur, vjeshta më zeher, dimri derbeder!
I fshehur prej javësh, herë në sënduk, herë në dollap, ishte plakur ca!
I ra të zbardhet, të zverdhet, të skuqet e të nxihet!
Trimat e tij gjithashtu ishin ca si shumë të frikësuar këtij moti! Shumë nga rrobat e tyre dolën jashtë përdorimi nga të lagurat e të pëgërat!
Secili syresh erdhi në atë mexhlis më shumë i mbuluar se i veshur, ngaqë garderobat u sosën nga ndërrimi i shpeshtë!
Demir Demo kishte marrë hua një palë pizhame me flutura, galloshe e një jamerrlluk!
Ulësia, një kostum me lara nga ata të ushtrisë, në kokë një helmetë nga të nemces, por Babon e shikonte me dashuri si firaun , i bindur që ka cicëruar siç lipset në ditët e gazepit! Tani duhet ylyfeja!
Sofian lozonjari, si me qejfli për të nxjerrë në pah format, ishte veshur me pantallona të shkurtra rozë, me gjarpërinj të zinj nëpër to, dhe një bluzë zhapone me luanë! Pirro Dengu si arlekin fshihej pas ish Buçkos.
Vullnet Sina, tirq e brucë.
Pandi Majko, i sapodalë nga e shkuara si nga legjendat, enkas me fustanellë, kollçakë e fistan, mbi krye një kapele si e Mihal Gramenos dhe në brez një jatagan.
Po mos të zgjatemi me këso hollësirash!
Kronika, e cila, ashtu si vetë Babua, mejtoi që për ca kohë të fshihet, mos të rëndë pas qarit, se helbete muaj të përhirtë, ehuha, sa ta marrin vesh që nuk je gomar, të ngarkojnë 10 herë!
Kësaj nahie shkon i njomi për të thatin dhe ha ndonjë kopaçe ku s’e pret, në vend jabrash!
Edhe nja dy herë që doli në krye të protestave, kryeautori e bëri pasi Kryezëvendës Lideri Flamur i dha besën se shkon gjaku në gju të kalit po t’u nduk një qime!
“Fëmijët dhe gratë janë nën mbrojtjen time”, deklaroi ai solemnisht, duke marrë admirim nga pas! E ndjeva veten femijë.
Jorushi i Tabakëve, Sajme Koreshi kaq sovranë si vox populi, vox Dei, pse mos të dalë dhe kronikani në mexhlis?!
Madje vetë Kostaqi, i cili është vetëofruar shpesh për të rënë theror, mori bukë me vete dhe u zhyt në qilaret e akademisë, duke latuar ashkla nga një enciklopedi! Ne fakt vigjelonte rreth Tabirit mos dikush i vinte zjarr fronit të Nikollaqit.
Pasi u djersit nja dhjetë herë, Kronika u mejtua se ia vlen barra qiranë dhe dëftoi trimëri kur shumëkush s’u pa!
Por dje ajo kuptoi se rrënjët e saj janë të thella dhe ujitet nga dashuria e njerëzve për të vënë buzën në gaz!
Nga aty brenda, 6-7 bënë zamet si korrespondentë të saj, madje gratis!
Luteshin: “Ah, t’u bëfsha! Ah, më qafsh! Jepi, beja fora! Dëshmo për historinë! Rrno vetëm për me tregue! Mos e tradhto fisin!”, e vinin në sedër!
Një sekretari e tërë zbardhte mesazhet e tyre zanore të regjistruara dhe po kaq ato të shkruara!
Dëgjoheshin hungërimat dhe gulçet e Babos, pështyma që mezi i kalonte poshtë dhe fshirja e qyrrave e Klosit, ngrica siberiane e Belës, frymëmarrja si tufan e Mamicës, klithmat e Xhafës, kolla e thatë e Taos, dremitjet e Dilos, fshirja rënkimet e Borës, kruarjet e Paulin Nufit dhe përbetimet e Termesë për t’i shpullosur një nga një ata që lanë mejdanë në ditë të kiametit!
Babua u ngrit!
Ra heshtje varri. U dëgjuan vetëm nja dy krisma frike nga tytat e poshtme, aty nga fundi i sallës!
Suspancë, heshtje e zgjatur dhe një grusht mbi foltore.
Pastaj ngriti duart e gjakosura dhe shfaqi “stimate”, si Padre Pio.
“Jam kryqëzuar për ju, o Xhudat e mia!”, vringëlloi!
“Po Zoti më foli! Pa mua jeni m….!
Maskarenj… pauzë!
Piser… pauzë!
Zuzarë… pauzë!
Zabërhanë… pauzë!
Teveqelë… pauzë!
Kopukë… pauzë!”
Një rrotullim sysh, siç e tregojnë filmimet amatoreske, ra si brymë mbi ta!
Një “hëëë” e zgjatur ndau më dysh atë ngrehinë!
“Ma bletë qefinin, ma shkruat nekrologjinë, u zgërdhitët, kujtuat se mbarova, po ja ku jam!”
Dhe brram, brram, dy herë dërrasës me grusht!
“Hesapet pa hanxhinë i bëtë, qenër! Në hanxhar, në hanxhar do ju shkoj!”
Ervin Hoxha u rrëzua përtokë nga e dridhura! Nuk guxonin as ta ngrinin. E lanë të përpëlitej disa minuta!
“Tani dy veta do t’i shkoj në hell, do t’i bëj def: Mamicën dhe atë mirditorin, se ata kulakë mbeten gjithmonë! Plarentin! Se ne jemi parti e Enver Hoxhës, nuk i biem hasha traditës!
Me ty, me ty, Mamicë, e kam! Sot e tutje nuk do jem më Gjergji yt! Skënderbe i pafan qeshë!”
“Oi, oi, oi, oi! Ku, ku, ku!”, u dëgjua një krusëm si e plakës Nice, që të këput shpirtin!
Tezja, Ekonomi, Antoneta dhe Zeniqeja ia dhanë vajtimit me dërrmë!
Çuçi u ofroi një shami që të thanin çurgun!
“Ti, Mamicë, luftën e ke me mua! Në ditë të këqija më dërgon letra, më bën statuse, më ofron kontrata të reja, më vishesh si Çe Guevara, kur sorra e korba mëlçinë më çukisin!
Ti je Flamingo!
Nëse do të më zësh vendin, rri te shkallët e PS-së si unë dikur!
Mallkuar qofsh! Në emër të Kishës time të shkishëroj e të dëboj si Jovan Bardhin! Harami të mbuloftë, emri t’u shoftë!
Tani fol, meqenëse është hera e fundit që do jesh mes nesh!”
Mamica u ngrit si profeti para mbretit, kur e di që gjithçka është e humbur, pos nderit dhe gjykimit të Zotit!
“Po”, i tha, “unë jam Flamingo nëse duhet një Shqipëri më e mirë!
Unë jam Flamingo nëse duhen zgjedhje të lira e të ndershme, pa të fortë!
Po, unë jam Flamingo që kam besuar, pa drejtorë, pa pushtet nga pas, kur u bashkova me ty!
Unë jam Flamingo nëse duhet të kërkoj qeverisje dhe jo sundim!
Unë jam Flamingo nëse duhet të luftoj korrupsionin dhe krimin!
Unë jam Flamingo nëse duhet të zgjedh dinjitetin para nënshtrimit!”
“Oj, tëmen e sëmës!”, thoshin ata nga ana tjetër e telefonit, tek e dëgjonin!
“Kataklizmo! Herezi! Prapësi, o dreq! Kjo botë u nakatos! Mamica e vogël i merr gjak në vetull Babos së madh!”
Fatmir Xhafa e mori edhe me kritika vende-vende, edhe ëmbël, duke i bërë qejfin Babos që turfullonte!
Por në fund tha: “Ndëshkime, qortime, autokritika, hapje zemre ndaj partisë, por jo përjashtime!”
U ngrit Majkua dhe lëshoi kumtin!
“Sodoma e Gomorra janë mes nesh! Zderhalljet, qejfet, ndezullitë e paratë e pushtetit janë të regjistruara në një mijë orë video! Të japin dorëheqjen, të ikin nga sytë këmbët!”
Shumica e pa me inat!
“Po të bëhet kjo”, mërmëritën, “këtu bie mortaja e shkretohet salla!”
Babua e ndërpreu:
“Sus!”
Braçja, i murrëtyer gjithë këta muaj, trozovaç i lindur, sokëlliu si Rrapo Hekali!
Gënjeu pak, po për të mirë, kur tha:
“Ne jemi parti e lirisë, jo e përjashtimeve! Një Mamicë bie, mijëra ngrihen!”
“Ç’dërdëllit ky?”, i fekste një mendim Ulësisë. “Ku i sheh ky këta mijëra?”
Dhe me padurim priste ndryshimet në qeveri, që do bëhen në një moment të dytë!
Babua mejtoi t’i fërkonte pak e t’i merrte me të mirë Xhafën e Majkon, se po më shndërrohet në trend kritika dhe mospërjashtimi!
Damua desh të merrte fjalën kur shihte sesi kaçurrelat e përfolura të Mamicës po merrnin flakë, por iu kujtua Ditmari, tanimë me çantë në shpinë si turist hungarez, që nuk i zënë këmbët dhe tek-tuk lëpin ndonjë akullore në këmbë, pa rehati!
U rrëqeth, i shkuan mornica, por e mblodhi veten e heshti!
Nikollaqi ishte i përhumbur si në ajodhimë! Mori një kompliment modest, po më mirë se hiç!
Ogi, si pas një ëndrre të pakuptimtë, përpiqej të zgjohej!
Tonit i thahej gjuha, kishte etje, po nuk gjente ujë! Dhimbje koke ka pasur qerratai.
Rifat Salla i bujqësisë shfaqej si bust i pikëlluar!
Karakaçi ndihej më i lehtë kur kujtonte sa mirë që kur ishte askush! Gonxhe hante fshehurazi, vap nje gurabi vap një sham !
Për t’i rritur ymrin kronikës, për të respektuar bashkëpunimin dhe besueshmërinë, Babua lexoi një pjesë prej saj nga të mëparshmet, kur iu drejtua Etildës si antimodel, e shtruar dhe punëtore!
Le të thotë ç’dojë zonja Kore, punon natë e ditë që të shohim pakë dritë, pa mandat, pa qeveri, ngujohet në Kryeministri!!
Në dy qoshet e syrit të saj u formuan lotë të kristaltë e të butë kadife!
Rikthimi po vjen!
Tao rrinte si zaif i sakrifikuar për kauzën, po ama ka shpirt të gjerë dhe fal!
Kapakun iu desh Klosit t’ia vinte dy herë!
Një herë kur mollaisi gabim pas asamblesë, me gojën që i bëhej pilaf, ku nuk u kuptua fati i Mamicës dhe Plarentit, dhe një herë pasdite, kur Babua e mori, e qortoi, e bëri lanet dhe i çoi një tekst tjetër ku thuhej se ata i kishin larë duart me “Forumet”!
Bledion Nallbaja nuk mund ta durojë këtë gjëmë, nëse është ai po i njëjti që njohim, i cili ishte gati të përleshej me fuqitë e mëdha, shkjetë, grekët, turqit, Naton vetë, për erzin e Mamicës!
Tek sheh si dorë e dushmanit do t’i nduke qerpikët, të ndajë gjakun me të, nga motër në hasëm, t’i heqë emrin!
Frika, si Devolli në dimër, po mbërrin në Tiranë me uturima!
Net epike na presin!
Nikollaj Gogoli kishte qenë aty dje! Çiçikovin nuk e mori me vete kur iku, e la mes nesh!
