Last Updated on 15/11/2026 by Monika
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj në lidhje me reformën zgjedhore.
Bylykbashi i kundërpërgjigjet Shehajt duke theksuar se opozita duhet e bashkuar në këto çaste, përndryshe përçarja e saj është në favor të kryeministrit Edi Rama.
Sipas Bylykbashit, bashkimi i opozitës është helm për mazhorancën, ndaj dhe fton Shehajn të mos largohet nga Komisioni që ai drejton, duke nënvizuar se vetëm përmes konsensusit të të gjithë opozitës garantohen zgjedhje të lira.
Reagimi i Bylykbashit:
“Në reagim ndaj ftesës së Kryetarit të PD-së për bashkëpunim të të gjitha forcave opozitare edhe për reformën zgjedhore, si dhe ndaj mbledhjes së Komisionit Parlamentar për këtë reformë, z. Agron Shehaj, kryetar i partisë Mundësia, ka deklaruar dje se politika e vjetër po bëka pazar në reformën zgjedhore për të bërë një sistem zgjedhor që do t’i mbajë gjërat siç janë.
Lidhur me këtë pretendim të z. Shehaj, duke qenë racional dhe bazuar në fakte, mendoj se të mbash sistemin aktual, të miratuar nga Rama në mënyrë të njëanshme në vitin 2020, do të thotë t’i lejosh Ramës të marrë më shumë mandate sesa i takojnë sipas votave.
Ndryshimet e vitit 2024, aq sa Rama pranonte, nuk mund të ndryshonin thelbin toksik të këtij sistemi që vret pluralizmin në Parlament.
Çdo parti duhet të marrë aq mandate sa i takojnë sipas votave.
Këtë kërkojnë forcat politike opozitare, qytetarët, të rinjtë dhe studentët protestues. Nëse ky ndryshim do të ishte i mundur të bëhej me referendum, do t’i mblidhnim firmat që sot për të shfuqizuar këtë sistem zgjedhor. Por, për fat të keq, legjislacioni për referendumet, që PS-ja ka miratuar në mënyrë të njëanshme në vitin 2000, është bërë që referendumi të dështojë.
Që ta përmbysim këtë sistem zgjedhor me referendum, do të duhej të votonin PRO përmbysjes më shumë se 1/3 e mbi 3,7 milionë zgjedhësve të regjistruar.
Pra, do të duhej të votonin PRO më shumë se 1.250.000 zgjedhës, pa llogaritur qindra mijëra votat e PS-së, që janë kundër ndryshimit. Kurrë nuk kanë votuar në total kaq shumë zgjedhës në Shqipëri.
Ja pra, edhe ky ligj që vret referendumet duhet përmbysur, por kjo bëhet në Parlament dhe jo në rrugë.
BE-ja na kërkon të gjithëve që të ulemi e të bëjmë reformë zgjedhore me konsensus. Para pak javësh, përfaqësues të lartë të huaj na thanë qartë mua, z. Shehaj dhe disa kolegëve se opozita fiton duke u bashkuar.
Ta kenë gabim BE-ja dhe këta miq të shquar?
Sigurisht që jo!
Studentët në Serbi e kuptuan se bashkimi do të rrëzonte regjimin e Vuçiçit.
Mes tyre ka të majtë, të qendrës dhe të djathtë, por kuptuan se secili më vete nuk sjell ndryshim.
Z. Shehaj është tashmë deputet prej tre mandatesh dhe jam i sigurt se e di që konsensusi bëhet me kundërshtarët dhe jo me veten në pasqyrë apo në ekranin e telefonit. Edhe po t’i bashkojë PD-ja votat e saj me dy mandatet e partisë Mundësia, nuk e miratojmë dot ndryshimin.
Por, me moral dhe kauzë të drejtë, së bashku bindim shumicën e publikut për ndryshim, duke ruajtur secili kauzën e tij politike.
Partia Demokratike dhe opozita në tërësi po propozojnë sistem proporcional kombëtar me lista 100% të hapura.
Opozita po kërkon rikthimin e koalicioneve që hoqi Rama në vitin 2020, koalicione që i lejojnë zgjedhësit të zgjedhë partinë e madhe apo të vogël të koalicionit që dëshiron, që partia të marrë votat e saj dhe jo të partive të tjera dhe mandatet t’i marrë me votë dhe jo me pazar se ku renditet në listën e mbyllur të koalicionit.
Opozita po propozon lista 100% të hapura për këshillat bashkiakë, që sot zgjidhen me lista 100% të mbyllura.
Opozita po propozon ndarjen e shtetit nga partia. Pa këtë ndarje nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme.”, tha Bylykbashi./Mxh
