Last Updated on 15/11/2026 by Monika
Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e sotme në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, në segmentin Suharekë–Prishtinë, ku janë përfshirë tri automjete. Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë mbetur të lënduar.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se aksidenti është raportuar rreth orës 14:00, në kilometrin e 40-të të autostradës, në zonën e Duhlës së Suharekës.
Sipas Hoxhës, ekipet përkatëse kanë dalë në vendngjarje, ndërsa Njësia për Kontrollin e Autostradave është duke u marrë me rastin dhe po heton shkaqet që çuan në aksident.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të të lënduarve, zëdhënësi i Policisë tha se për shkallën e lëndimeve duhet të kontaktohen shërbimet shëndetësore.
Në reagimin e tij, Hoxha u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në trafik, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e qarkullimit.
Ai paralajmëroi gjithashtu se Policia e Kosovës do të vijojë kontrollet në terren dhe do të marrë masa ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor./mxh
