Mungesa e hekurit prek rreth 2 miliardë njerëz në mbarë botën dhe mund të shkaktojë lodhje, nervozizëm, marramendje dhe vështirësi gjatë aktivitetit fizik. Gratë janë veçanërisht të prekura, ndër të tjera për shkak të humbjes së gjakut gjatë menstruacioneve.
Hekuri është i domosdoshëm për funksione të rëndësishme të organizmit, përfshirë transportin e oksigjenit dhe prodhimin e ADN-së. Meqenëse trupi nuk ka një mekanizëm të posaçëm për të eliminuar tepricën e tij, ekuilibri i hekurit varet kryesisht nga sasia që përthithet.
Përveç ushqyerjes së pamjaftueshme, humbjes së gjakut dhe problemeve me përthithjen, studiuesit po shqyrtojnë edhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në rezervat e hekurit. Një studim i publikuar në revistën Journal of Nutrition ka zbuluar një lidhje të mundshme mes niveleve të larta të lipoproteinës(a), e njohur si Lp(a), dhe rezervave më të ulëta të hekurit.
Lp(a) është një lloj lipoproteine që transporton kolesterolin në gjak dhe lidhet me rrezikun për sëmundje kardiovaskulare.
Si u realizua studimi?
Në studim morën pjesë 52 gra të moshës 18 deri në 40 vjeç, të cilat kishin nivele të ulëta të ferritinës, një tregues i rezervave të hekurit në organizëm. Gjatë një periudhe tetëjavore, pjesëmarrëset u ndanë në dy grupe: njëri konsumonte një vakt me mish viçi, ndërsa tjetri një alternativë bimore të mishit.
Të dy grupet morën çdo ditë një suplement me 32 miligramë hekur, së bashku me vaktin. Studiuesit analizuan mostrat e gjakut para dhe pas periudhës së ndërhyrjes, për të vlerësuar nivelet e hekurit, ferritinës dhe tregues të tjerë që lidhen me aneminë dhe inflamacionin.
Çfarë zbuloi studimi?
Studiuesit vunë re se gratë që në fillim kishin nivele më të larta të Lp(a) kishin gjithashtu rezerva më të ulëta hekuri. Pas tetë javësh suplementimi, ato shfaqën edhe nivele më të ulëta të hekurit në gjak, çka sugjeron se organizmi mund të mos i përgjigjet suplementimit në të njëjtën mënyrë kur nivelet e kësaj lipoproteine janë të larta.
Një tjetër gjetje ishte lidhja mes niveleve të larta të Lp(a) dhe rritjes së proteinës C-reaktive (CRP), një tregues i inflamacionit në organizëm. Meqenëse Lp(a) ka edhe veti që lidhen me proceset inflamatore, studiuesit mendojnë se inflamacioni mund të jetë një nga faktorët që ndikon në mënyrën se si organizmi përpunon hekurin.
Megjithatë, studimi nuk vërteton se Lp(a) shkakton mungesë hekuri. Ai përfshiu një numër relativisht të vogël pjesëmarrësesh, ndaj nevojiten kërkime të tjera për të konfirmuar këto rezultate dhe për të kuptuar më mirë lidhjen mes tyre.
Çfarë do të thotë kjo për shëndetin tënd?
Nivelet e Lp(a) përcaktohen kryesisht nga gjenetika dhe zakonisht mbeten relativisht të qëndrueshme gjatë jetës. Kjo lipoproteinë konsiderohet një faktor i rëndësishëm rreziku për sëmundjet e zemrës. Për këtë arsye, matja e saj të paktën një herë mund të ndihmojë në vlerësimin e rrezikut kardiovaskular.
Studimi nuk do të thotë se të gjithë personat me mungesë hekuri duhet të kontrollojnë patjetër Lp(a). Megjithatë, ai sugjeron se vlerësimi i niveleve të hekurit duhet të marrë parasysh më shumë sesa vetëm ushqimin dhe sasinë e hekurit që konsumojmë.
Nëse ke mungesë hekuri, është e rëndësishme të konsultohesh me mjekun për të identifikuar shkakun dhe për të përcaktuar trajtimin e duhur, në vend që të nisësh vetë suplementet./mxh
