Last Updated on 15/11/2026 by Monika
Odhise Dhima, vëllai i Pirro Dhimës ka folur për herë të parë pas arrestimit, nga paraburgimi në Greqi.
Në një deklaratë për televizionin grek “Mega”, 58-vjeçari i ka kërkuar falje të vëllait pas arrestimit për skandalin e dopingut në sportin e peshëngritjes.
Vëllai i Dhimës mohon kategorikisht akuzat se i ka dhënë një djalit të mitur substanca të ndaluara stimuluese. Po ashtu, ka shpjeguar se provat materiale të sekuestruara në shtëpinë e tij nga policia greke janë tërësisht brenda kuadrit ligjor farmaceutik të vendit fqinj.
Deklarata e vëllait të Pirro Dhimës:
“I kërkoj falje vëllait tim Pirro Dhima dhe familjes sime.
E vërteta, që del nga një vendim gjykate, është se është përdorur një suplement ushqimor i ligjshëm, në paketimin e të cilit nuk përmendej substanca anabolike.
Kjo u pranua nga Këshilli i Lartë për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Sportive.
Preparatet e gjetura në shtëpinë time janë të ligjshme, përveç disa prej tyre, për të cilat do të provoj se i përdor për arsye mjekësore.
I kërkoj falje të gjithë qytetarëve që e kanë dashur Pirro Dhimën.”, deklaroi vëllai i Pirro Dhimës./Mxh
