Nga Eduard Halimi
Në Lisbonë, autoritetet portugeze sekuestruan tre telefona të një të pandehuri. (të identifikuar si AA6 në vendimin e anonimizuar). Prokuroria (Ministério Público) i lexoi dhe i përzgjodhi vetë emailet e nxjerra nga telefonat. Gjykata e shkallës së parë i përdori emailet për të arsyetuar dënimin, edhe për fakte që preknin bashkëpandehurit. Gjykata e apelit po ashtu e përfshiu këtë arsyetim në vendimin e saj duke dënuar të pandehurij (Vendimi, pikat 243–249)
Por në vendimin e fundit publikuar nga Gjykata e Lartë e Portugalisë, në çështjen nr. 267/21.0JELSB.L1.S1, ajo bëri dallimin mes kërkimit në një telefon të sekuestruar dhe leximit të korrespondencës që gjendet në të.
Pavarësisht se e konsideroi të ligjshëm urdhrin për kërkimin informatik i cili parashikonte se , nëse duhej të ruheshin emailet, ato të kopjoheshin “pa ua parë përmbajtjen” dhe kopja të vulosej menjëherë për t’iu paraqitur gjyqtarit. (Vendimi, pikat 243–245), marrja e tyre kishte problem!
Leximi i emaleve nga prokuroria u cilësua i paligjshëm. Sipas Gjykatës së Lartë, gjyqtari i hetimit duhej të ishte “i pari që merrte dijeni për përmbajtjen”. Atij i takonte të vlerësonte se cilat mesazhe kishin rëndësi për hetimin dhe nëse përdorimi i tyre si provë ishte proporcional.
Gjykata i cilësoi emailet prova të paligjshme, pavarsisht se ato ishin thelbësore sipas prokurorisë për çështjen. Gjykata e Lartë e anuloi vendimin e apelit dhe urdhëroi rivlerësimin e çështjes pa ato emale dhe pa provat e tjera që vareshin prej tyre. Vendimi, pikat 248–249 dhe dispozitivi, shkronjat m–n, citim në përkthim
Për drejtësinë shqiptare, leksioni është po aq konkret. Edhe kur telefoni është sekuestruar ligjërisht, korrespondenca që ndodhet brenda tij vazhdon të gëzojë mbrojtje. Sado e rëndësishme të jetë një provë ajo kurrë nuk e justifikon shmangien e kontrollit gjyqësor.
Në të njëjtin telefon mund të gjendet një provë vendimtare për hetimin, krahas viteve të tëra korrespondence private pa lidhje me çështjen. Kontrolli gjyqësor shërben për të ruajtur provën e nevojshme dhe për ta kufizuar ndërhyrjen në jetën private në atë që është e domosdoshme për hetimin.
Mënyra e sigurimit të provës digjitale përcakton nëse ajo mund të përdoret në gjykim. Kur prova merret në kundërshtim me ligjin, shkelja mund të sjellë, sipas rastit, pavlefshmërinë e aktit ose papërdorshmërinë e provës.
