Last Updated on 16/11/2026 by EL
Sa më shumë afrohet viti 2027 dhe nisja e procedurave për nënshkrimin e Traktatit të anëtarësimit në BE, aq më e fortë po bëhet gjuha opozitare për largimin e Ramës. Fatkeqësisht këtyre zërave po i bashkohen edhe disa elementë nga mazhoranca. Në këtë aspekt, ambiciet personale brenda mazhorancës për të ndryshuar lidership, janë zgjedhje aspak realiste. Kur ato bashkohen vetvetiu me ato të opozitës, krijohet një simetri që i dëmton shumë rëndë politikisht. Kur një lider vazhdon të fitojë zgjedhjet dhe të ruajë mbështetjen elektorale për partinë e tij, është absurde që t’i kërkohet largimi vetëm sepse këtë e kërkon me forcë edhe opozita.
Nga ana tjetër, në kampin e Partisë Demokratike, zërat brenda saj kundër Berishës, as nuk ndjehen fare. Një lider si ai, që ka humbur zgjedhjet, është ende i pranueshëm nga partia, po edhe një pjesë jo e paktë e elektoratit. Vetëm se një kryetar partie nuk zgjidhet për të qenë thjesht drejtues i saj, por për ta udhëhequr drejt pushtetit. Nëse dështon në këtë mision, nuk mund ta përdorë pafundësisht besnikërinë e anëtarësisë si argument për të qëndruar në krye.
Pra, kemi një paradoks shqiptar: fituesit i kërkohet dorëheqja, kurse humbësit i kërkohet të qëndrojë fort në llogore.
Kur vjen fjala tek humbësit, si në rastin e PD-së, nuk jam kategorik që një kryetar duhet të largohet që me humbjen e zgjedhjeve të para. Për shembull, Basha nuk kishte pse të jepte dorëheqjen pas humbjes në vitin 2017, sepse nuk është e thënë që të rikthesh partinë në pushtet brenda 4 viteve që e ke humbur. Kjo për shumë arsye, përfshi edhe atë që kundërshtari në pushtet mund të ketë dhënë rezultate në qeverisje, gjë që e ka bindur elektoratin t’i besojë vazhdimësinë.
Kur humb zgjedhjet e para në opozitë, duhet parë raporti se ku e more partinë dhe ku e çove. Në rast se e ke përmirësuar situatën me ngritje të numrave të përfaqësimit në Kuvend, atëherë të duhet dhënë mundësia ta vazhdosh atë projekt për zgjedhjet e radhës. Gabimi politik i Bashës ishte se vërtet e rriti PD-në në vitin 2017 në raport me vitin 2013, por humbja e dytë në zgjedhjet e vitit 2021 duhet të ishte vija e kuqe. Ai sërish kandidoi dhe fitoi si kryetar i PD-së, gjë që prishi çdo rregull politik. Pas kësaj, nuk kishte asnjë arsye pse në PD të mos riktheje një humbës të provuar e përsëritës si Berisha.
Dhe Berisha e çoi edhe më keq, sepse në zgjedhjet pas marrjes së drejtimit në maj 2025, e çoi PD-në shumë më poshtë sesa e mori nga Basha. Ky duhet të ishte mësimi i dytë që nuk kuptuan demokratët dhe vazhduan ta mbajnë Berishën në krye, duke e rizgjedhur në maj 2026. Me gjasë, për të pësuar disfata të tjera.
Në të gjithë këtë situatë, ajo që duhet thënë hapur e pa dorashka është se partitë e reja në Shqipëri do lindin dhe do vdesin nga njëshi që i krijoi, kurse partitë tradicionale, PS e PD, do vijojnë të ekzistojnë edhe për dekadën e ardhshme, sepse nuk vdesin me ikjen e liderit. Madje, largimi i liderit humbës mund t’i bëjë ato sërish fituese.
