Last Updated on 16/11/2026 by EL
Eksperti i ekonomisë Jakup Bellaqa paralajmëron se Kosova duhet t’i marrë seriozisht zhvillimet në sektorin energjetik dhe ndikimin e tyre në ekonomi, veçanërisht në prag të sezonit të dimrit.
Në një intervistë për Kohavsion, Bellaqa theksoi se kapacitetet e kufizuara energjetike të Kosovës dhe varësia nga importi e bëjnë vendin të ndjeshëm ndaj zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare dhe në vendet e Bashkimit Evropian.
“Qytetarët e Kosovës duhet ta marrin seriozisht përgatitjen për sezonin e dimrit, veçanërisht sa i përket energjisë elektrike dhe sigurisë energjetike”, u shpreh Bellaqa.
Sipas tij, çdo krizë energjetike në Evropë mund të reflektohet drejtpërdrejt edhe në ekonominë e Kosovës, pasi vendi importon një pjesë të konsiderueshme të produkteve bazë, përfshirë artikujt ushqimorë, higjienikë dhe lëndët e para për bizneset.
“Ne jemi një ekonomi shumë importuese. Importojmë produkte elementare dhe bazike nga vendet e Bashkimit Evropian, prandaj çdo zhvillim atje ndikon drejtpërdrejt edhe në ekonominë e Kosovës”, deklaroi ai.
Bellaqa paralajmëroi se pasojat mund të ndihen në të gjithë zinxhirin e furnizimit, duke sjellë rritje të kostove për bizneset dhe, rrjedhimisht, të çmimeve për konsumatorët.
Ai u ndal edhe te inflacioni, duke theksuar se Kosova po përballet me presione të larta të çmimeve, të cilat rëndojnë veçanërisht ekonomitë familjare.
“Inflacioni në Kosovë është shumë i lartë. Sipas statistikave, është 7.1 për qind, por ndikimi real në ekonominë familjare mund të jetë edhe më i madh”, tha Bellaqa.
Eksperti përmendi rritjen e çmimeve të produkteve bazë, si sheqeri, kafeja dhe mishi, duke theksuar se qytetarët janë ata që përballojnë drejtpërdrejt kostot e shtuara.
Në përfundim, Bellaqa bëri thirrje për përgatitje dhe kujdes në menaxhimin e energjisë elektrike, por pa krijuar panik te qytetarët, duke nënvizuar se ekonomia e Kosovës është e vogël dhe e ndjeshme ndaj zhvillimeve ekonomike në Evropë./ET
