Last Updated on 16/11/2026 by EL
Personi që shihni në foto është Shefi i Krimeve të Vlorës, Ermal Lulaj, i cili humbi jetën mbrëmjen e sotme në një aksident tragjik në autostradë, në afërsi të Novoselës.
Sipas njoftimit të policisë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues Ermal Lulajn, dyshohet se për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e mjetit, është përplasur me një mjet të rëndë tip skrep, që drejtohej nga 63-vjeçari Thanas Poçaj. Paraprakisht, dyshohet se mjeti i rëndë ka qenë pa sinjalistikë në pjesën e pasme.
Si pasojë e përplasjes, Ermal Lulaj ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa 63-vjeçari Thanas Poçaj ka mbetur i plagosur dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Efektivi i policisë, rreth të 40-ave, më herët kishte shërbyer edhe si Shef i Antidrogës në Vlorë. Po ashtu mësohet se ai ishte baba i dy fëmijëve.
Aksident fatal në afërsi të Novoselës, humb jetën Shefi i Krimeve të Rënda në Vlorë, një tjetër i plagosur (EMRI)
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. L., dyshohet se, për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, është përplasur me një mjet tip skrep, me drejtues shtetasin Th. P., 63 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Toyota”, shtetasi E. L., oficer policie në DVP Vlorë.
Ndërsa shtetasi Th. P. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit./et
