Nga Leonard Veizi
Në mëngjesin e 28 tetorit 1940, ndërsa trupat italiane kalonin kufirin shqiptaro-grek, në Firence zhvillohej një takim mes Adolf Hitlerit dhe Benito Musolinit. Në bisedime ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm italian, Galeaco Çano. Takimi kishte një rëndësi të veçantë, pasi Hitleri kishte shkuar në Itali me shpresën se mund ta bindte aleatin e tij të mos ndërmerrte aventurën ushtarake kundër Greqisë. Por mbërriti tepër vonë: Musolini i komunikoi se operacioni kishte filluar tashmë…
…Hitleri u vu përballë një vendimi të marrë pa koordinim me Berlinin. Musolini kërkonte të fitonte prestigj ushtarak dhe të zgjeronte zotërimet italiane në Ballkan, duke mos dashur të mbetej në hijen e aleatit gjerman.
Në orën tre të mëngjesit, ambasadori italian në Athinë i kishte paraqitur qeverisë greke një ultimatum, duke kërkuar lejimin e pushtimit të disa pikave strategjike të territorit grek. Kryeministri grek Joani Metaksa, e hodhi poshtë kërkesën. Pak orë më vonë, ushtria italiane, e dislokuar në Shqipërinë e pushtuar që prej prillit 1939, nisi mësymjen drejt Greqisë.
Por ajo që duhej të ishte një fushatë e shpejtë pushtuese u shndërrua në një nga dështimet më të rënda ushtarake të Italisë fashiste. Ushtria greke jo vetëm e ndali mësymjen, por kaloi në kundërsulm dhe hyri thellë në territorin shqiptar, duke marrë Korçën, Gjirokastrën dhe Sarandën. Për muaj të tërë, Shqipëria e Jugut u kthye në fushëbetejë, ku ambiciet e Romës u përplasën me rezistencën greke, terrenin malor dhe dimrin e ashpër.
Në mars 1941, Musolini ndërmori një ofensivë të re, të njohur si ofensiva e pranverës, por as kjo nuk arriti ta thyente rezistencën greke. Vetëm në prill të atij viti, pas ndërhyrjes së Gjermanisë naziste dhe sulmit gjerman ndaj Greqisë nga territori i Bullgarisë dhe Jugosllavisë, ushtria greke u detyrua të kapitullonte.
Lufta italo-greke, e cila u shndërrua në një nga përplasjet më të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore në Ballkan, shkaktoi humbje të rënda njerëzore nga të dyja palët. Sipas të dhënave historike greke, vetëm në luftën kundër Italisë u regjistruan 13.253 të vdekur dhe të zhdukur në radhët greke. Edhe humbjet italiane ishin shumë të mëdha, duke përfshirë të vrarë, të plagosur, të zhdukur dhe mijëra të tjerë të nxjerrë jashtë luftimit nga ngricat dhe sëmundjet.
Kjo luftë la pas mijëra të vrarë, të plagosur e të zhdukur, por edhe një dëshmi të hidhur për mënyrën se si diktatorët e trajtojnë fatin e popujve: si një mjet për të ushqyer ambiciet e tyre. Shqipëria, e pushtuar nga Italia që prej vitit 1939, u përdor si bazë ushtarake dhe u kthye në territorin ku u zhvillua pjesa më e madhe e përplasjes. Nuk ishte zgjedhja e shqiptarëve, por toka e tyre u bë sërish çmimi i një lufte të vendosur diku tjetër.
Për Musolinin, kjo aventurë ushtarake u kthye në një dështim politik dhe ushtarak. Për Hitlerin, ndërkaq, ndërhyrja gjermane në Ballkan u bë një angazhim i paparashikuar, që kërkoi zhvendosjen e forcave dhe burimeve ushtarake në një front të ri, pak javë përpara nisjes së operacionit kundër Bashkimit Sovjetik.
