Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka hartuar një buxhet që, sipas tij, nuk synon përmirësimin e jetesës së qytetarëve, por favorizimin e interesave të një grupi të caktuar. Në një konferencë për mediat, një ditë përpara shqyrtimit të projektbuxhetit në Kuvend, Bardhi deklaroi se thelbi i debatit nuk është sa para do t’u mblidhen shqiptarëve, por kush do t’i administrojë dhe në xhepat e kujt do të përfundojnë ato.
Duke iu referuar edhe protestave të studentëve dhe kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit, Bardhi tha se qytetarët e kanë kuptuar se buxheti nuk është në shërbim të tyre, por të Edi Ramës.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, qeveria po krijon një perceptim të rremë për uljen e kostos së jetesës, përmes uljes së TVSH-së për disa produkte ushqimore, ndërkohë që rrit TVSH-në e përgjithshme në 21%, të cilën e cilësoi si nivelin më të lartë historik. Ai kritikoi gjithashtu ndryshimet në taksimin e karburanteve, duke pretenduar se ulja e një takse në pompë shoqërohet me rritjen e detyrimeve të tjera.
“Thelbi i buxhetit që shqyrtohet nesër nuk është sa para do t’u mblidhen shqiptarëve por kush do t’i shpenzojë dhe në xhepat e kujt do të përfundojnë. Protestat e studentëve dhe kërkesat për dorëheqjen e Ramës tregon se shqiptaret e dinë e Buxheti nuk është i tyre por i Ramës.
Rama e ka përpiluar në mënyrë që të krijojë ide false për uljen e kostos së jetesës nga ulja e TVSH për disa ushqime por rrit 21% TVSH e përgjithshme shifra më e lartë historike. Ul taksën e karburantit në pompë, por shton taksat e tjera.
Buxhet diabolik. Jep bonus për pensionistët jo rritje pensioni.
U jep disa para më shumë sot por i privon nga një pension më i lartë.
Rama ka prioritet ekonominë e betonit sepse aty pastrohen më lehtë e më shpejt paratë e krimit dhe trafikut të drogës, është burim i sigurt korrupsioni.
Ndaj në vilat e Ballukut gjenden kutitë e kuqe mbushur me para si në bodrumet e karteleve më të rrezikshme të drogës”, tha ai./k.m
