Shqipëria numëron mbi 300 startup-e aktive, ndërsa për vitin 2027 qeveria ka në plan krijimin e Fondit Shqiptar të Inovacionit, për të mbështetur financiarisht sipërmarrjet që zhvillojnë produkte dhe shërbime të reja.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë çeljes së Javës Globale të Sipërmarrjes 2026 në Tiranë, e cila këtë vit zhvillohet nën moton “Ndërto nga Shqipëria”.
“Sot jam shumë krenare që mund të themi se kemi një ekosistem të konsoliduar, me më shumë se 300 startup-e që kanë krijuar një produkt, vijojnë rrugëtimin e tyre, po zgjerojnë aktivitetin dhe po synojnë të dalin përtej kufijve të Shqipërisë, drejt tregjeve ndërkombëtare”, tha Ibrahimaj.
Sipas ministres, vitin e kaluar financimi për startup-et u dyfishua, duke arritur në 600 milionë lekë. Nga kjo mbështetje kanë përfituar rreth 170 startup-e, ndërsa 43 produkte kanë dalë në treg dhe janë në funksion. Janë financuar gjithashtu tetë organizata që ofrojnë mentorim dhe mbështetje për sipërmarrjet.
Për vitin 2027, krahas Fondit Shqiptar të Inovacionit, parashikohet edhe hapja e Akademisë së Startup-eve, e cila do të ofrojë programe trajnimi dhe zhvillimi të aftësive për sipërmarrësit në të gjithë vendin.
“Në fokus do të jetë gjithashtu rritja e ekspozimit ndërkombëtar të startup-eve shqiptare, përmes pjesëmarrjes në panaire dhe aktivitete jashtë vendit, si dhe bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Departamentin e Senatit të Berlinit për Çështjet Ekonomike, Energjinë dhe Ndërmarrjet Publike dhe institucionin francez të investimeve “Bpifrance””, u shpreh ministrja..
Ibrahimaj u ndal edhe te zhvillimi i GovTech, si një mundësi për të nxitur bashkëpunimin mes inovatorëve dhe sektorit publik, duke krijuar hapësira për ofrimin e produkteve dhe shërbimeve inovative në përputhje me rregullat dhe procedurat e Bashkimit Evropian.
“Ne mund të bëjmë pak kur punojmë të vetëm, por mund të arrijmë shumë më tepër kur bashkëpunojmë. Jemi vende të vogla dhe secili prej nesh nuk mund të ketë kapacitete dhe ekspertizë në çdo sektor”, shtoi ajo
Java Globale e Sipërmarrjes zhvillohet nga 16 deri më 22 nëntor në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë, me rreth 40 aktivitete, përfshirë konferenca, trajnime dhe takime me investitorë e ekspertë ndërkombëtarë.
Programi përfshin konferenca, trajnime, workshop-e, masterclass-e dhe takime me investitorë e ekspertë ndërkombëtarë. GEW Albania organizohet për të katërtin vit radhazi nga Startup Albania, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, me autorizimin e Rrjetit Global të Sipërmarrjes (GEN)./k.m
