Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se, Paketa Fiskale përbën një goditje finale ndaj bizneseve në Shqipëri.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, Berisha tha se me dyfishimin e dividentit, Paketa detyron biznesin e ndershëm të qytetarëve të largohet nga vendi.
“Kjo paketë ndëshkon biznesin e ndershëm. Në një anë shpall paqen fiskale me ata, të cilët kanë fshehur vite e stërvite veprimtarinë e tyre, kurse bizneseve të ndershme iu bie me satër. Vetëm turizmi e ka shkallën e informalitetit në shtretër 78%. Imagjinoni o zotërinj, Mali i Zi me 2 milionë turistë, ka trefishin, katërfishin e netëve të fjetjeve me Shqipërinë që ka 10-11 milionë turistë. Imagjinoni se çfarë ndodh këtu. Dhe këta në vend që të merren me formalizimin e ekonomisë, këta godasin biznesin e ndershëm.
Urdhëroni pra. Kroacia me 15 milionë turistë ka 108 milionë net fjetje. Mali i Zi me 2 milionë turistë ka 11 milionë net fjetje. Shqipëria me 10 milionë turistë ka 6 milionë net fjetje. Nuk i takon as gjysëm nate turistit në Shqipëri. Imagjinoni ju, shteti më qesharak i botës, ky është. Dhe tani ky me këtë u jep goditje. Ua rrit edhe këtyre TVSH-në, ua bën më të shtrenjtën në rajon, t’i zhysë edhe më shumë në informalitet. Gjithçka bazohet në parime të kundërta me ato që duhet të udhëhiqet praktika dhe qëndrimi zyrtar ndaj biznesit. Taksën e karburantit e çon tek makina, por jo në funksion të kilometrave. Pra, si një makinë që bën gjithsej në vit 3 mijë kilometra, ashtu edhe një makinë që bën gjithsej në vit 200 mijë kilometra, sipas Padrinos, ndotin njëlloj dhe duhet të përgjigjen njëlloj për mjedisin.
Ka kjo ku të rrijë? Ka mendje njerëzore? Dhe u garantoj që do jetë zero efekti në pompë. Ka dyfishuar taksën e dividentit. Çfarë do të thotë kjo? Thirrje publike për bizneset që të largohen nga Shqipëria. Vende të tëra nuk kanë fare taksë për dividentin. Vendet përreth e kanë shumë më të ulët. Nga tetë, zgjohet Sadami, në mëngjes dhe thotë do ua bëj 15. Kjo është thirrje për t’u larguar nga Shqipëria. Pra, paketa fiskale është një colpo di grazia që u jepet bizneseve në Shqipëri. Që u jepet investimeve të huaja. Po pse do vijë investitori i huaj në Shqipëri?Çfarë do u rekomandojë Dhoma Amerikane e Biznesit, Dhoma Gjermane e Biznesit, organizata të tjera, çfarë do u thonë biznesmenëve të huaj, pse do vini në Shqipëri ju që nuk keni pikën e sigurisë? Se i teket atij dhe bën paketa fiskale.”, u shpreh Berisha./k.m
