Last Updated on 18/11/2026 by Anisa
Shqipëria ka kërkuar të pajiset me dy sisteme të artilerisë raketore M142 HIMARS, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme dhe ka njoftuar Kongresin amerikan.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri Ermal Nufi, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale ka përshëndetur këtë zhvillim në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Paketa e propozuar, me vlerë të përllogaritur prej 210 milionë dollarësh, përfshin dy sistemet HIMARS, municione, trajnim për personelin ushtarak shqiptar dhe mbështetje për mirëmbajtjen e tyre. Financimi parashikohet të bëhet përmes një kredie nga programi amerikan i financimit ushtarak (FMF).
Në reagimin e tij, Nufi thekson rëndësinë strategjike të kësaj pajisjeje për Forcat e Armatosura shqiptare.
“Me këto sisteme, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të fitonin aftësinë për të vepruar me saktësi në distanca të gjata, duke forcuar mbrojtjen e vendit dhe kontributin tonë në NATO”, shprehet ministri.
Ai e cilëson këtë zhvillim si një hap të mirëpritur në marrëdhëniet e bashkëpunimit me SHBA-në.
Duhet theksuar se bëhet fjalë për miratimin e shitjes së mundshme nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe njoftimin e Kongresit, jo për një marrëveshje të përfunduar apo për dorëzimin e sistemeve në Shqipëri.

