Matan Kahana do të jetë Kryetari i ri i Knesset-it në Izrael. I propozuar nga partia Yashar i gjeneralit Gadi Eisenkot, Kahana arriti të fitojë 66 vota kundrejt 52 votave të Ofir Katz, kandidatit të mbështetur dhe propozuar nga Likud-i i Netanyahut. Matan Kahana arriti objektivin politik, duke marrë mbështetjen e partive arabe në parlamentin izraelit. Kjo ishte një goditje e rëndë për Netanyahun, i cili e deklaroi këtë rezultat një turp për përjetësi, sepse mori vota arabe.
Por kundërpërgjigja e Kahanas në fjalimin e tij të parë si kryetar i sapozgjedhur ishte: “Knesset-i i Izraelit është shtëpia e të gjithë qytetarëve të Shtetit të Izraelit, dhe unë synoj të jem Kryetar për të gjithë. Knesset-i do t’i respektojë pa kushte vendimet e gjykatës” dhe duhet të largohet nga “ekstremizmi, urrejtja dhe përçarja. Shpresoj që qeveria e ardhshme të bëjë reformat e nevojshme për balancat mes tre pushteteve, përmes konsensusit të gjerë.
Kush është kryetari i ri i Knesset-it
Matan Kahana (hebraisht: מתן כהנא) ka lindur më 29 korrik 1972 në Haifa, Izrael. Ai është i martuar dhe ka katër fëmijë. 54-vjeçari është i diplomuar në Drejtësi dhe është një hebre ortodoks. Ai është pjesë e partisë Yashar, të drejtuar nga gjenerali Gadi Eisenkot. Kahana është një politikan me një karrierë të gjatë ushtarake.
Në periudhën 1990-1993 ai ka qenë pjesëtar i Sayeret Matkal, njësia më elitare e forcave speciale izraelite. Aty u njoh me Naftali Bennett, kryeministrin e ardhshëm. Në vitin 1994, hyri në Akademinë e Forcave Ajrore, u bë pilot luftarak. Komandant i Skuadriljes 116 dhe më pas 109, të dyja me avionë F-16.Ai ka marrë pjesë në Luftën e Dytë me Libanin (2006), ku kreu 45 fluturime luftarake kundër Hezbollahut. Në luftën e Gazës 2008-2009 (Operacioni “Plumbi i Shkrirë”). Sërish në luftën e Gazës 2012 (Operacioni “Shtylla e Resë”). Në Gaza 2014 (Operacioni “Shkëmbi i Mbrojtjes”).Doli në pension 2018 me gradën Kolonel dhe vazhdoi si rezervist edhe 2 vjet.
Karriera politike
Karakteristikë e karrierës politike të Kahanas është fakti se ai ka ndërruar disa herë parti. Kjo konsiderohet edhe një nga pikat më të dobëta të tij. Në vitin 2019 ai hyri në politikë me partinë New Right të Bennett-it. U zgjodh deputet me aleancën Yamina.Në qershor 2021 – maj 2022, ai u zgjodh Ministër i Çështjeve Fetare në qeverinë Bennett-Lapid, qeveria që rrëzoi Netanyahun. Në maj deri në gusht të 2022 ushtroi detyrën e Zëvendësministrit të Çështjeve Fetare.
Po në gusht të 2022 iu bashkua partisë National Unity të Benny Gantz-it. Në shtator 2025 ai ishte themelues i partisë Yashar së bashku me Gadi Eisenkot. Ishte numri 5 në listë në zgjedhjet e 27 tetorit 2026, ku edhe u zgjodh deputet, ndërsa nga sot do të jetë edhe Kryetari i Knesset-it./ad
