Dy diplomatë rusë janë dëbuar nga Qiproja nën dyshimin për spiunazh, konfirmuan dy zyrtarë qipriotë për Politico.
Sipas dy zyrtarëve të lartë të qeverisë qipriote, të cilët folën me Politico në kushte anonimiteti, shërbimet e inteligjencës së vendit zbuluan një rrjet që kërkonte të merrte informacion të klasifikuar në lidhje me sigurinë e Qipros dhe të Bashkimit Evropian.
Rrjeti dyshohet gjithashtu se u përpoq të fitonte akses në informacion në lidhje me teknologjitë, transferimi i të cilave në Rusi është i ndaluar sipas sanksioneve të BE-së , thanë të njëjtët zyrtarë.
Ata shtuan se dy diplomatët u detyruan të largoheshin nga Qipro javën e kaluar, pasi kishte dyshime se ata po punonin për shërbimet e inteligjencës ruse nën mbulesë diplomatike. Sipas të njëjtave burime, ata dyshohet se ishin në kontakt me qytetarë qipriotë që kishin qasje në informacione konfidenciale.
Sipas Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës, që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, vendet evropiane kanë dëbuar më shumë se 700 zyrtarë rusë nga misionet diplomatike.
