Last Updated on 23/11/2026 by Anisa
Nëndrejtori i policisë së Fierit, Alket Ahmetaj, tha për mediet se në atentatin ku mbeti i vdekur Selami Hasani (60 vjeç), është plagosur nipi i tij, Jakup Hasani dhe jo i vëllai i viktimës. Jakup Hasani për momentin po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Fierit dhe burime për Shekullin thonë se ai ndodhet në operacion, por nuk dihet me saktësi gjendja e tij.
Ahmetaj bëri me dije se ngjarja ka ndodhur në oborrin e banesën së familjes Hasani, ku ata kanë qenë duke punuar. Atentatorët dyshohet se kanë qenë më shumë se dy dhe kanë qëlluar me breshëri, ndërsa një automjet u gjet i djegur në Dermenas, dyshohet i atentatorëve.
“Ngjarja ka ndodhur jashtë shtëpisë, në oborr, ku ai ka qenë duke punuar. I plagosur ka mbetur nipi i viktimës dhe po merr ndihmë në spital. Është qëlluar me armë zjarri. Po identifikohen rrethanat dhe po hetohet. Policia është në çdo moment gati për të parandaluar ngjarjet kriminale”, tha mes të tjerash Alket Ahmetaj, nëndrejtori i policisë së Fierit.
Viktima njihej edhe si “Sel Çami” dhe “Seli i Malit”, teksa ngjarja dyshohet se vjen për hasmëri. 24 vite më parë (25 mars 2002) Selami Hasani ka vrarë nipin e Arben Isufit, i njohur si Ben Qimja, të riun Juljan Isufaj.
Selami Hasani ka qenë i dënuar me 25 vite burg, teksa është arrestuar në vitin 2009. Viktima kishte dalë nga burgu vetëm një javë më parë./ad
