Fatbardha është nënë e dy fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ajo është një nga 10,240 familjet që përfitojnë nga dyfishimi i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, masë e miratuar nga qeveria.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka publikuar sot foton e saj, duke treguar se çfarë ndryshon konkretisht për Fatbardhën nga kjo paketë.

Për djalin e saj, Redin, ajo do të përfitojë pagesë të dyfishuar, ndërsa koha që i kushton përkujdesjes ndaj tij do t’i njihet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
“Fatbardha, nënë e dy fëmijëve me aftësi të kufizuara, është një nga përfitueset e politikës së re të mbështetjes sociale. Me dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, ajo do të përfitojë mbështetje financiare të dyfishuar për djalin e saj, Redin, si dhe njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për përkujdesjen ndaj tij”, shkruan Spahiu.
Dyfishimi i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara ka nisur me efekte financiare nga 1 korriku 2026 dhe shoqërohet me një fond shtesë prej 750 milionë lekësh nga buxheti i shtetit.
Paketa parashikon gjithashtu njohjen e periudhës së kontributeve dhe sigurime shoqërore e shëndetësore për rreth 15 mijë kujdestarë dhe ndihmës personalë./k.m
