Last Updated on 23/11/2026 by EL
Teksa gara për Bashkinë e Tiranës vijon të mbetet pa një emër konkret, Partia Demokratike ka avancuar me përzgjedhjen e kandidatëve që pritet të garojnë në bashkitë e tjera të vendit. Në listën e emrave që po diskutohen në radhët e opozitës janë edhe dy deputetë të grupit parlamentar demokrat, të cilët pritet të lënë mandatin për t’u përfshirë në garën elektorale të 9 majit.
Bëhet fjalë për Gjin Gjonin, i cili përflitet si kandidat për Lezhën dhe Xhelal Mziun për Bashkinë e Kamzës. Një tjetër vendim që duket se ka marrë PD-së lidhet me bashkitë që aktualisht drejtohen nga opozita.
Sipas informacioneve, kryetarët aktualë pritet të marrin sërish mbështetjen e demokratëve për të garuar për një mandat të dytë. Kjo strategji përfshin bashkitë e Kavajës, Hasit, Mirditës, Tepelenës dhe Pukës.
Ndërkohë, në disa prej bashkive të tjera kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e kandidatëve të rinj janë në Vlorë, PD pritet të mbështesë Atird Hoxhën, në Kukës Rrahman Demën, ndërsa në Durrës Adrian Gashin.
Megjithatë, përzgjedhja e kandidatëve nuk ka përfunduar ende dhe emrat mbeten në fazën e diskutimeve. Pritet që procesi të marrë më shumë qartësi gjatë javës së parë të dhjetorit, kur degët lokale të Partisë Demokratike të përmbyllin procesin e propozimeve dhe diskutimeve./et
