Last Updated on 24/11/2026 by Anisa
Hetimet për vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Pejë kanë marrë një tjetër zhvillim, gati një muaj pas krimit që tronditi Kosovën. Katër persona të tjerë janë arrestuar në kuadër të hetimeve, ndërsa dyshimet tashmë nuk lidhen vetëm me autorin e dyshuar, por edhe me persona që mund ta kenë ndihmuar pas vrasjes ose të kenë nxitur kryerjen e saj.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, në rrethana që ngritën pikëpyetje të shumta për reagimin e institucioneve ndaj denoncimeve të saj të mëparshme për dhunë në familje. Vetëm pak minuta para se të vritej, 49-vjeçarja ishte kthyer në banesën e saj nga stacioni policor, ku kishte raportuar sërish rastin e dhunës.
Për vrasjen e saj dyshohet ish-kunati, Albert Sylaj, i cili u arrestua më 27 tetor në Deçan, pas dy ditësh në arrati.
Sipas raportimeve, dy personat e fundit të arrestuar janë Gëzim Bobi dhe Metë Pepaj. Ata dyshohet se i kanë ofruar ndihmë Albert Sylajt pas kryerjes së vrasjes. Ndaj tyre po zhvillohen hetime për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.
Ndërkohë, dy të arrestuarit e tjerë janë Nurije Sylaj, vjehrra e viktimës, dhe Driton Sylaj, kunati i saj. Ata dyshohen për nxitje në kryerjen e vrasjes, ndërsa hetuesit po verifikojnë rolin e mundshëm të tyre në ngjarje.
Në kuadër të veprimeve të fundit hetimore janë realizuar edhe bastisje në disa lokacione, ku janë sekuestruar prova që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit. Hetimet po përqendrohen në identifikimin e çdo personi që mund të ketë pasur përfshirje para ose pas krimit.
Ndërkohë, ish-bashkëshorti i Arlindës, Jeton Sylaj, ndodhet në paraburgim. Ai ishte ndaluar nga policia më 25 tetor, pas denoncimit të viktimës për dhunë në familje dhe dyshohet se kishte shkelur urdhrin e gjykatës për qëndrim në distancë. Ndaj tij është ngritur edhe aktakuzë për kanosje.
Rasti i Arlinda Zekajt nxori në pah edhe dyshimet për neglizhencë institucionale. Pas vrasjes u suspenduan kryeprokurorja e Pejës dhe prokurorja e rastit, si dhe 11 zyrtarë policorë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqjen.
Ngjarja shkaktoi reagime dhe protesta në Kosovë, me kërkesa për drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet që kishin pasur dijeni për rrezikun ndaj 49-vjeçares. Kuvendi i Kosovës ndërmori gjithashtu hapa për themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar trajtimin institucional të rastit.
Me arrestimet e fundit, hetimet kanë marrë një drejtim më të gjerë, duke synuar të zbardhin nëse vrasja është paraprirë nga veprime të personave të tjerë dhe nëse dikush ka ndihmuar të dyshuarin kryesor pas kryerjes së krimit./AD
