Last Updated on 24/11/2026 by Monika
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar protestat studentore nga foltorja e “Ripërtëritjes” në Durrës.
Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama po përdor dhunë të paparë për të shuar protestat, si ata narkodiktatorë që janë në grahmat e fundit të pushtetit dhe tiranisë së tyre.
Për Berishën, Rama nuk e ka të gjatë me thyerje kafkash e gjymtyrësh, pasi protesta e 28 nëntorit po afron dhe të shtënën e fundit nga karrigia, kryeministri do ta marrë nga studentët.
Sipas kryedemokratit, nuk mbahet karrigia e pushtetit me plumba gome në ballë karshi studentëve, duke bërë një paralelizëm edhe me diktatorin e fundit, që sipas tij është qindra herë më mirë se Rama, pasi u lejoi studentëve përfaqësi në dialog dhe jo dialog farsë me studentë të zgjedhur, siç bëri Rama.
“Vijmë sot në një kohë kritike, por krejt tjetër. Ju jam mirënjohës për punën që keni bërë ju aleatë dhe kryetarë të degëve të PD-së në qarkun Durrës.
Jeta në një diktaturë është e vështirë. Mes gjithë diktaturave, narkodiktatura ose ndryshe diktatura e bandave vlerësohet si më e keqja, më e rrezikshmja.
Vlerësohet e tillë nga të gjithë ata që kanë studiuar diktaturat.
Nuk e kam besuar në fillim kur e lexova, se mendoja se ishte më e keqja diktatura që kaluam në vitet e zeza.
Por, narkodiktaturat nuk pyesin për asgjë, nuk respektojnë asnjë normë.
Në vitet ’90-të studentët u ngritën. Regjimi ishte i dyzuar: të përdorë forcën apo të bisedojë me ta. Regjimi vendosi të ketë dialog, të negociojë me ta.
Imagjinoni këtë të sotmin.
Pasi theu kafka, gjymtyrë, u dha plumbin në lule të ballit, plumb gome, pasi përdori të gjitha mjetet kundër tyre, zgjodhi si hiena një grup studentësh.
U mblodh aty ku ishte mbledhur diktatori i fundit. Por ka dallim. Diktatori i fundit u mblodh me studentët e zgjedhur. Ky zgjodhi ata me të cilët u takua.
Spiro Koleka, daja i Ramës, donte në atë kohë të fuste tanket kundër studentëve. Dhe Rama përdor dhunën njësoj.
Dua të përshëndes studentët për lëvizjen e tyre, për revoltën e tyre të paparë.
Garantoj diktatorin se këto kohëra që të kanë ngelur po sillesh njësoj si tiranët në kohërat e fundit.
Lexo historinë.
Të shtënën e fundit e ka pasur sovrani dhe të garantoj se do ta ketë edhe për ty.
Nuk do të mund të rrish në atë karrige duke thyer kocka studentësh.
Je krejtësisht i pashpresë. Studentët do t’i kesh aty më 28 nëntor”, u shpreh Berisha./mxh
