Një ish-gjeneral i lartë rus, i cili ka shërbyer gjatë karrierës së tij nën drejtimin e Vladimir Putinit, paralajmëron se Rusia mund të shpërbëhet brenda pak vitesh, nëse presidenti rus vazhdon të qëndrojë në pushtet.
Leonid Ivashov, 83 vjeç, beson se lufta e nisur kundër Ukrainës po e çon vendin drejt fragmentarizimit dhe se, nëse nuk ndërhyhet menjëherë, Rusia mund të përballet me kolaps deri në vitet 2027-2028.
Sipas tij, Kremlini po e çon vendin drejt një krize të pakthyeshme, ndërsa kostoja e luftës po rëndon gjithnjë e më shumë mbi qytetarët e zakonshëm rusë. Financimi i ofensivës ushtarake kundër Ukrainës ka ardhur me një çmim të lartë edhe në humbje njerëzore. Sipas të dhënave të publikuara nga Mediazona, të paktën 285 881 ushtarë rusë janë konfirmuar të vrarë që nga fillimi i luftës.
Ivashov, i cili rrezikon të përballet me arrestimin për deklaratat e tij, thotë se u përsërit njerëzve paralajmërimin se Rusia mund të mos ekzistojë më në formën e saj aktuale.
“Nuk do të ketë Rusi. Nuk do të ketë Rusi”, është shprehur ai, duke theksuar se vendi ka nevojë për një ndryshim të menjëhershëm të pushtetit. Sipas gjeneralit, zgjidhja nuk duhet të jetë një kryengritje e armatosur, e cila mund të shkaktojë pasoja katastrofike, por një ndryshim paqësor i drejtimit politik.
Ai kërkon një grusht shteti paqësor, duke argumentuar se Rusia duhet të shmangë një përplasje të brendshme, që mund ta zhysë vendin në kaos.
Gjenerali paralajmëron se historia ka treguar se edhe udhëheqësit që dikur janë adhuruar nga populli i tyre, më vonë janë rrëzuar në mënyrë tragjike.
Megjithatë, ai beson se Putinit duhet t’i ofrohet një rrugëdalje politike, në mënyrë që të largohet nga pushteti pa u përballur me ekzekutimin, siç mund të ndodhë në një skenar ekstrem, pas rrëzimit të tij./mxh
