Projektligji i ri “Për ushqimin” ndryshon mënyrën e përcaktimit të informacionit të detyrueshëm në etiketat e ushqimeve, duke përfshirë shprehimisht deklarimin e substancave që shkaktojnë alergji ose intolerancë dhe të vlerave ushqyese, ndërsa detyrimin për shënimin e origjinës e lidh me rastet e përcaktuara në legjislacionin përkatës.
Ndryshimi është i rëndësishëm për konsumatorët dhe bizneset që prodhojnë, importojnë ose tregtojnë produkte ushqimore, pasi informacioni i etiketimit shërben për të identifikuar përbërjen, karakteristikat dhe kushtet e përdorimit të ushqimit.
Ligji aktual nr. 9863/2008 e rendit vendin e origjinës ndër informacionet e detyrueshme të etiketës, ndërsa projektligji parashikon deklarimin e vendit të origjinës ose të prejardhjes kur kjo kërkohet nga legjislacioni për informimin e konsumatorit.
Kjo nuk do të thotë se origjina nuk do të deklarohet më, por se detyrimi do të përcaktohet në përputhje me rregullat specifike për kategoritë përkatëse të ushqimeve.
Alergjenët dhe deklarata ushqyese në informacionin e detyrueshëm
Neni 29 i projektligjit përcakton një grup të gjerë të dhënash që duhet të shoqërojnë ushqimet e destinuara për konsumatorin përfundimtar ose për furnizimin e operatorëve të shërbimit ushqimor masiv.
Informacioni përfshin emrin e produktit, listën e përbërësve, sasinë neto, datën e jetëgjatësisë minimale ose datën “përdoret deri më”, kushtet e veçanta të ruajtjes dhe përdorimit, si edhe emrin dhe adresën e operatorit përgjegjës për informacionin ushqimor.
Një vëmendje e veçantë u kushtohet përbërësve që mund të shkaktojnë alergji ose intolerancë. Projektligji kërkon informacion për substancat e përcaktuara në legjislacionin përkatës, kur ato janë përdorur në prodhimin ose përgatitjen e ushqimit dhe janë ende të pranishme në produktin përfundimtar, edhe në formë të ndryshuar.
Kjo dispozitë është veçanërisht e rëndësishme për konsumatorët që duhet të shmangin përbërës të caktuar për arsye shëndetësore.
Një tjetër kërkesë e shprehur në projektligj është deklarata ushqyese, e cila i jep konsumatorit informacion për karakteristikat ushqyese të produktit, sipas legjislacionit përkatës.
Për pijet me përmbajtje alkooli mbi 1,2% në vëllim, informacioni i detyrueshëm përfshin edhe titullin alkoolometrik.
Informacioni duhet të jetë në shqip dhe i lexueshëm
Projektligji ruan kërkesën që informacioni i detyrueshëm të paraqitet në gjuhën shqipe, në mënyrë të kuptueshme për konsumatorin, pa ndaluar përdorimin paralel të gjuhëve të tjera.
Për ushqimet e parapaketuara, informacioni duhet të jetë drejtpërdrejt mbi paketim ose në etiketën e bashkëngjitur me të.
Ai duhet të vendoset në një pozicion të dukshëm, të jetë lehtësisht i dallueshëm, i lexueshëm dhe, kur është e përshtatshme, i pashlyeshëm.
Në praktikë, këto kërkesa prekin si prodhuesit vendas, ashtu edhe importuesit që vendosin në tregun shqiptar produkte me etiketa në gjuhë të huaja.
Projektligji ndalon gjithashtu etiketimin, reklamimin dhe paraqitjen mashtruese të ushqimeve. Ndalimi përfshin jo vetëm informacionin e shkruar, por edhe pamjen, formën, ambalazhimin dhe mënyrën e ekspozimit të produktit.
Gjobat për shkeljet e etiketimit
Për etiketimin në kundërshtim me kërkesat e ligjit, projektligji parashikon gjoba nga 80 mijë deri në 100 mijë lekë.
Krahasuar me ligjin aktual, ku gjoba varion nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë, rritet kufiri minimal me 30 mijë lekë, ndërsa gjoba maksimale mbetet e pandryshuar.
Rregullat e hollësishme për etiketimin e kategorive të veçanta të ushqimeve do të përcaktohen me udhëzime të ministrit përgjegjës./Ekofin -ad
