Last Updated on 25/11/2026 by Klara
Deputetja Elisa Spiropali ka dalë në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, pas përjashtimit të saj nga Partia Socialiste.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Spiropali tha se ka bërë histori, duke u bërë gruaja e parë e përjashtuar nga forumet e një partie për qëndrimet e saj. Ajo tha se përjashtimi i saj erdhi pasi mbajti qëndrime publike për t’i vënë fre pushtetit, në funksion të forcimit të shtetit dhe institucioneve.
“Unë jam e para grua në 35 vjet dhe, mes të qenit kryetarja më e re e zgjedhur e Kuvendit dhe gruaja e parë e përjashtuar nga forumet për qëndrimet e saj, mendoj se nuk ka asgjë për t’u habitur, kur ata që duhet të ikin rrinë dhe ata që duhet të rrinë ikin. Mendoj se do të kemi edhe shumë të tjera, sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë zhvillimi. Kam folur për nevojën për reformimin e sistemit elektoral, i cili ka prodhuar një moçal politik, një stanjacion politik.
Në momentin që kam mbajtur qëndrime publike për nevojën për t’i vënë fre pushtetit, në funksion të forcimit të shtetit dhe institucioneve, kam mbajtur qëndrime që nuk udhëhiqeshin nga nevoja personale. Ishte koha për ta kuptuar se gjërat kanë ndryshuar thelbësisht. Në atë kohë u ngritën shumë vetulla dhe shumë njerëz më panë me habi, sepse nuk kuptonin se nga buronin këto qëndrime”, tha Spiropali./k.m
