Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, propozoi nga Konferenca e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor një projekt rajonal për investime plotësuese në Ballkanin Perëndimor, me vlerësim teknik nga Komisioni Europian.
Nisma synon të krijojë sinergji mes burimeve natyrore, energjisë së pastër, kapaciteteve kërkimore dhe atyre prodhuese të rajonit, duke i lidhur me nevojat strategjike të industrisë evropiane. Si një fushë me potencial të veçantë u evidentuan lëndët e para kritike dhe përpunimi i tyre i qëndrueshëm.
“Faza e ardhshme e zhvillimit të Shqipërisë do të formësohet nga kapacitetet prodhuese që ndërtojmë, teknologjitë që përvetësojmë dhe njohuritë që arrijmë të ruajmë e zhvillojmë brenda ekonomisë sonë. Ne duam që investimet e huaja të lënë një gjurmë afatgjatë në ekonomi, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara.
Strategjia jonë për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve, me një horizont deri në vitin 2030, përcakton kuadrin për realizimin e këtij objektivi. Ne po avancojmë reformat rregullatore, po përmirësojmë eficiencën administrative dhe po forcojmë sigurinë juridike, ndërkohë që po përgatisim bizneset shqiptare për të operuar brenda hapësirës ekonomike evropiane.
Por linjëzimi rregullator duhet të përkthehet edhe në integrim industrial. Pikërisht për këtë arsye, Shqipëria propozon që, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, të shqyrtojmë mundësinë e zhvillimit të një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Evropian (IPCEI), ku të përfshihet edhe Ballkani Perëndimor. Objektivi është të bashkojmë investime plotësuese në të gjithë rajonin, duke lidhur burimet tona natyrore, energjinë e pastër, kapacitetet kërkimore dhe ato prodhuese me nevojat strategjike të industrisë evropiane. Ne propozojmë nisjen e një vlerësimi të përbashkët teknik me Komisionin Evropian, shtetet anëtare të interesuara, kompanitë evropiane dhe partnerët tanë rajonalë, me synimin për të identifikuar projekte konkrete investimi ndërkufitare, me qëndrueshmëri tregtare. Të marra veçmas, ekonomitë tona janë relativisht të vogla. Por, si një rajon i ndërlidhur, Ballkani Perëndimor përfaqëson një mundësi krejt tjetër për investitorët”, tha Ibrahimaj./k.m
