Last Updated on 25/11/2026 by Anisa
Elisa Spiropali ka dalë paraditen e sotme në një konferencë për mediat pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
Spiropali ka sfiduar hapur kryeministrin dhe njëherazi kreun e PS-së, Edi Rama, duke kërkuar hapjen e garës për kreun e Partisë Socialiste pas 17 vitesh nën drejtim të tij. Në deklaratën e saj, Spiropali u shpreh se nuk e di nëse Rama e do apo jo, por theksoi se ka mbështetjen e socialistëve për shkak të betejave politike që ka zhvilluar ndër vite.
“Nuk e di a më do apo s’më do Edi Rama. Di vullnetin tim. Di që më duan socialistët, se kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër. Kam bërë beteja shumë të vështira, jo vetëm në Kuvend përballë opozitës. Jam e majtë, progresiste e bindur. Nëse duan të bëjmë një garë popullariteti, të hapet gara në PS pas 17 vitesh. Nuk kemi kryetar të përjetshëm. Kemi statutin, por nuk është as Bibël dhe as Kuran.
Nuk heq dorë nga mandati. Kam punuar jo vetëm për veten, por që të marrin vota edhe të tjerë. Kam qenë drejtuese politike në Tiranë, në Kukës, në Shkodër. S’e kam problem ta përfundoj karrierën time politike. I detyrohem forcës sime politike, e dua atë forcë. S’kanë lidhje me ato vendimmarrje. Sfida është kjo, të hapet gara në PS. Jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë mund të garojnë në PS. Pse, kush është i pazëvendësueshëm?”, tha ajo.
