Koreja e Veriut ka urdhëruar mbylljen e zyrës diplomatike të Zvicrës në Phenian dhe largimin e diplomatit zviceran Sylvain Astier nga vendi brenda 48 orëve, raportuan sot mediat shtetërore koreanoveriore.
Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut e ka shpallur Astierin ”persona non grata” duke e justifikuar vendimin me sanksionet e vendosura nga Zvicra ndaj një kampi për fëmijë në Songdowon.
Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA raportoi se Pheniani e konsideron këtë masë shkelje të të drejtave sovrane të vendit dhe të interesave të qytetarëve të tij.
Nga ana tjetër, Zvicra i justifikoi sanksionet me pretendimet se kampi ishte përfshirë në transferimin dhe indoktrinimin e fëmijëve nga territoret e Ukrainës të pushtuara nga Rusia.
Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, kishte rihapur zyrtarisht zyrën diplomatike në tetor, pas një periudhe të gjatë mbylljeje për shkak të pandemisë së COVID-19.
Zyra funksionon në varësi të ambasadës zvicerane në Pekin.
Përveç Zvicrës, vetëm disa vende evropiane mbajnë përfaqësi diplomatike në Korenë e Veriut, mes tyre Suedia, Polonia dhe Çekia./mxh
