Aktori i njohur amerikan Mahershala Ali ka rrëfyer vështirësitë që po has për të gjetur role të reja në industrinë e filmit, pavarësisht se është fitues i dy çmimeve Oscar.
Gjatë një interviste në podcastin “7PM in Brooklyn”, 52-vjeçari foli për mungesën e projekteve cilësore dhe skenarëve që u përshtaten aktorëve të nivelit të tij.
Sipas Ali, në Hollywood ka shumë aktorë të talentuar, por jo mjaftueshëm histori dhe role të mira për të gjithë. Ai theksoi se shumica e produksioneve që marrin miratimin për t’u realizuar nuk përmbajnë personazhe që i përshtaten profilit të tij.
“Edhe sikur të kisha fituar 17 çmime Oscar, kjo nuk do të ndryshonte asgjë. Nëse askush nuk shkruan një rol duke pasur ty në mendje, apo nuk miraton një projekt ku je pjesë, përfundon në të njëjtën situatë si gjithë të tjerët, duke pritur dhe kërkuar punë”, u shpreh aktori.
Ai pranoi se një alternativë për aktorët është të marrin vetë iniciativën dhe të prodhojnë projektet e tyre, por kjo kërkon kohë dhe mund të zgjasë nga tre deri në pesë vjet.
Ali foli gjithashtu për vlerësimin e aktorëve me ngjyrë në Hollywood, duke theksuar se fitimi i një çmimi të rëndësishëm nuk përkthehet domosdoshmërisht në mundësi konkrete punësimi. Sipas tij, aktorët afroamerikanë duan të kenë akses në skenarë cilësorë, pa u trajtuar si një kategori e veçantë.
Mahershala Ali ka fituar dy çmime Oscar për aktorin më të mirë joprotagonist, për interpretimet në filmat “Moonlight” (2016) dhe “Green Book” (2018).
Ai ishte përzgjedhur gjithashtu për të luajtur personazhin Blade në filmin e Marvel, projekt i prezantuar në vitin 2019. Megjithatë, produksioni u përball me vonesa të shumta, ndryshime kreative dhe largime të regjisorëve, përpara se të anulohej këtë vit./mxh
