Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar në lidhje me vizitën e komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila mbërrin sot në Shqipëri për të diskutuar procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Në një deklaratë, Koçeku thekson se forcat më reformatore dhe proeuropiane në Shqipëri janë aktualisht qytetarët, të rinjtë, akademikët dhe aktivistët politikë që janë pjesë e protestës.
Sipas saj, protesta është institucioni më serioz në vend, ndërsa pengesa për integrimin europian mbetet establishmenti politik, të cilin e cilëson të korruptuar.
“Zonja Komisionere duhet ta dijë se aktualisht forcat më reformatore dhe pro Bashkimit Europian në Shqipëri janë qytetarët, të rinjtë, akademikët dhe aktivistët politikë që ushqejnë protestën. Protesta është institucioni më serioz në vendin tonë. Pengesë mbetet establishmenti i korruptuar politik. Qytetarët kërkojnë ndryshim, elitat e vjetra politike kërkojnë mbijetesë. Procesi i anëtarësimit në BE duhet ta njohë dhe ta respektojë këtë realitet të ri”, shprehet Koçeku./k.m
