Deputeti socialist Petro Koçi ka reaguar lidhur me mesazhet e ambasadorit amerikan Eric Wendt gjatë takimit me drejtuesit e SPAK-ut dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së drejtësisë, por edhe të kontrollit ligjor mbi veprimtarinë e institucioneve të saj.
Në reagimin e tij, Koçi rendit pesë mesazhet kryesore të ambasadorit Wendt për SPAK-un: askush nuk është mbi ligjin, lufta kundër korrupsionit është edhe interes ekonomik amerikan, rëndësia e ndjekjes së parave, roli vendimtar i provave digjitale dhe pavarësia e drejtësisë si kusht i panegociueshëm.
Megjithatë, deputeti socialist veçon një dallim që, sipas tij, duhet mbajtur parasysh në raport me mbështetjen ndaj Strukturës së Posaçme.
Reagimi i plotë:
Mesazhet kryesore të ambasadorit Wendt per SPAK:
1. Askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk është as nën ligjin.
2. Lufta kundër korrupsionit është edhe interes ekonomik amerikan.
3. Ndiqni paratë!
4. Provat dixhitale janë bërë vendimtare.
5. Pavarësia e drejtësisë është kusht i panegociueshëm.
Unë do të veçoja një dallim thelbësor:
1. mbështetja ndërkombëtare për SPAK-un nuk duhet interpretuar si mbështetje për çdo vendim të SPAK-ut.
2. SPAK-u duhet mbështetur si institucion i pavarur, por çdo veprim i tij duhet të jetë i ligjshëm, i argumentuar, i verifikueshëm dhe i kontrollueshëm nga gjykata.
3. Nuk duhet të krijojmë një institucion të paprekshëm në emër të luftës kundër korrupsionit.
4. Duhet të krijojmë një drejtësi që nuk ka nevojë për paprekshmëri, sepse vepron mbi bazën e ligjit.
Kjo është pikërisht logjika e shtetit të së drejtës.
Mesazhi amerikan ka edhe një dimension të qartë politik dhe ekonomik.
SHBA po e bën të qartë se klima e investimeve nuk mund të shkëputet nga sundimi i ligjit.
Kjo është veçanërisht domethënëse për një vend ku tenderët publikë, koncesionet, PPP-të, prokurimet dhe marrëdhëniet ndërmjet pushtetit politik dhe interesave private kanë qenë vazhdimisht objekt debatesh dhe hetimesh.
Nuk mjafton të jesh aleat i SHBA-së, por duhet të jesh edhe shtet ku funksionon ligji.
Situata kërkon një sistem ku askush nuk mund ta blejë ligjin, t’a manipulojë drejtësinë apo ta përdorë pushtetin për t’u vendosur mbi qytetarët.
Pikërisht këtu qëndron prova e vërtetë e reformës në drejtësi: jo te numri i të arrestuarve, por te aftësia e institucioneve për të garantuar drejtësi të barabartë për të gjithë./ad