Last Updated on 28/11/2026 by Monika
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar sot ndaj protestës kombëtare e cila po zhvillohet sot në kryeqytet si shenjë revolte ndaj qeverisë dhe klasës së vjetër politike.
Në një postim në Facebook, Koçiu ka dënuar dhunën ndaj Policisë së Shtetit duke u shprehur se, protestuesit nuk e kursyën as në Ditën e Flamurit.
Sipas saj, pamjet që qarkullojnë në rrjet nga protesta nuk nderojnë as historinë e Pavarësisë, sakrificat e brezave, apo të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Postimi i Koçiut:
“Për të disatën herë, një protestë e dhunshme që nuk përfaqëson as Shqipërinë dhe as shqiptarët. Kjo është fytyra e vërtetë e politikës së rrugës pa rrugëdalje, që sot nuk kurseu as Ditën e Flamurit, duke e kthyer festën e kombit në një sulm të verbër ndaj Shqipërisë dhe Policisë së Shtetit. Gjithmonë me dhunë, gjithmonë në anën e gabuar të historisë! Të përpiqesh të mbulosh dhunën me flamurin kuqezi nuk të bën patriot, por thjesht një përdorues të vogël të një simboli të madh.
Këto pamje nuk nderojnë as historinë e Pavarësisë dhe sakrificat e brezave, as të ardhmen europiane të Shqipërisë. Janë përsëritja e të njëjtit avaz të vjetër të atyre që, sa herë ky vend feston, zhvillohet dhe ecën përpara, përpiqen ta tërheqin në baltën e tyre. Por Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj dhe nuk kthehet më pas! Ka zgjedhur punën, zhvillimin dhe Europën, ndërsa politikës së rrugës pa rrugëdalje i ka mbetur vetëm turpi i historisë.”/Mxh
