Last Updated on 31/10/2026 by EL
Aktorja e njohur Monika Lubonja është rikthyer në vëmendje me një postim në rrjetet sociale, ku shfaqet duke qeshur dhe përcjell një mesazh që duket si një përgjigje ndaj komenteve dhe kritikave. “A dëgjove çfarë thanë për ty? Jo, unë nuk e flas gjuhën e tyre”, është shprehja që aktorja ka zgjedhur të ndajë në videon e saj.
Postimi vjen disa javë pas një periudhe të vështirë për Lubonjën, emri i së cilës u përfshi në diskutimet që pasuan publikimin e materialeve intime në rrjet.
Në fillim të tetorit, aktorja reagoi publikisht, duke deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni të regjistrimeve dhe se nuk kishte dhënë pëlqimin për publikimin e tyre. Ajo njoftoi se i ishte drejtuar drejtësisë, duke akuzuar kompozitorin Adrian Hila për cenim të privatësisë dhe fyerje. Në reagimin e saj të atëhershëm, Lubonja kërkoi gjithashtu që publiku dhe mediat të respektonin jetën e saj private dhe të ndalonin gjykimet ndaj saj.
Ndërsa këtë herë, aktorja ka zgjedhur një mënyrë krejt tjetër komunikimi. Pa deklarata të gjata dhe pa përmendur emra, ajo shfaqet e buzëqeshur, duke ndarë një shprehje që mund të interpretohet si një mesazh për të mos u ndikuar nga fjalët e të tjerëve. Nuk dihet nëse postimi lidhet drejtpërdrejt me ngjarjet e javëve të fundit apo është thjesht një mesazh i përgjithshëm që aktorja ka dashur të ndajë me ndjekësit.
