Nga financat dhe mjekësia te makinat e përdorura, Inteligjenca Artificiale po përmirëson në mënyrë rrënjësore efikasitetin e tregut, shkruan The Economist.
Nëse dini si ta përdorni Inteligjencën Artificiale, ajo mund t’ju kursejë shumë kohë dhe para. Po lidhni një kontratë për një makinë të re me qira? Sigurohuni që të ngarkoni një fotografi të kontratës në ChatGPT përpara se ta firmosni.
Keni nevojë për ndihmë me një rubinet që pikon? Inteligjenca Artificiale shpesh e kupton problemin, dhe me një kosto shumë më të ulët sesa një hidraulik.
Nëse jeni prindër me një fëmijë të vështirë, mund të përdorni tani chatbot-e për t’u përgjigjur pyetjeve tuaja brenda sekondave, në vend që të prisni për një takim te pediatri.
Dhe nëse i jepni Claude një PDF me listën e verërave, ai do t’ju ndihmojë të gjeni shishet me raportin më të mirë mes cilësisë dhe çmimit.
Të gjithë këta shembuj përbëjnë pjesë të një ndryshimi shumë më të madh. Me përhapjen e Inteligjencës Artificiale, po zhduket një nga shtrembërimet më të qëndrueshme të kapitalizmit modern: avantazhi informativ që gëzojnë shitësit, ofruesit e shërbimeve dhe ndërmjetësit ndaj jush si konsumatorë.
Kur secili prej jush ka në xhep një “gjeni” digjital, bëheni më pak të prekshëm ndaj mashtrimeve dhe produkteve të shitura me informacion të shtrembëruar, duke përfituar vetë dhe duke rritur efikasitetin e përgjithshëm të tregut.
“Ekonomia e mashtrimit”, ku kompanitë përfitojnë nga mungesa e transparencës, konfuzioni apo përtacia juaj, po gjen më në fund kundërshtarin e saj.
Avantazhet informative kanë ekzistuar po aq gjatë sa vetë tregjet. Në Anglinë mesjetare, tregtarët përdornin peshore të falsifikuara për të mashtruar blerësit; pronarët e bareve shtonin kripë në birrë për t’i bërë më të etur klientët.
Këto praktika nuk janë thjesht bezdisëse. Në një artikull të vitit 1970, ekonomisti George Akerlof, më vonë fitues i Çmimit Nobel, e ilustroi këtë dukuri përmes tregut të makinave të përdorura. Është e vështirë për ju si blerës të dini nëse një makinë funksionon siç duhet apo është një “limon” me probleme të fshehura.
Për pasojë, prireni të supozoni më të keqen. Si rezultat, shitësit e ndershëm, që nuk duan të ngatërrohen me ata që dyshohen për mashtrime, tërhiqen nga tregu. Cilësia bie, dhe ju e keni gjithnjë e më të vështirë të gjeni shërbime të ndershme.
Interneti e ka bërë më të vështirë për tregtarët t’ju mashtrojnë. Falë shërbimeve si Carfax dhe platformave të tjera të të dhënave për automjete, mund të kontrolloni historikun e një makine përpara se ta blini, duke kapërcyer një pjesë të problemeve që përmendte Akerlof.
Shoferët e taksive e kanë më të vështirë t’ju çojnë në rrugë të gjata dhe më fitimprurëse, pasi aplikacionet si Lyft dhe Uber ju tregojnë saktësisht itinerarin më të shkurtër. Tripadvisor, platforma e njohur e vlerësimeve, ju ndihmon të gjeni restorante që ofrojnë ushqim të mirë.
Në fillim të viteve 2000, në Londër kishte mbi 20 filiale të Angus and Aberdeen Steak Houses, lokale të njohura si “kurthe për turistët”. Sot kanë mbetur vetëm katër, dhe ato që ekzistojnë janë dukshëm më të mira. m.p.
