Kur nisni një marrëdhënie të re, është e natyrshme të kërkoni shenja që tregojnë nëse personi përballë jush është vërtet i duhuri. Shpesh flasim për “red flags” dhe sjellje që mund të tregojnë se një marrëdhënie po bëhet toksike, por po aq e rëndësishme është të dallojmë edhe shenjat pozitive.
Sipas psikologes klinike dhe ekspertes së marrëdhënieve Diane Strachowski, disa prej tyre mund të shfaqen që në fazat e para të një lidhjeje. Ajo thekson se një partner duhet t’ju bëjë të ndiheni të sigurt, të mbrojtur dhe të lumtur, ndaj mënyra se si ndiheni pranë tij është një nga gjërat e para që duhet të vëzhgoni.
Respekton kufijtë tuaj
Një nga shenjat më të mira të një marrëdhënieje të shëndetshme është respekti për kufijtë personalë. Nëse partneri e pranon “jo”-në tuaj edhe kur ajo nuk përputhet me atë që dëshiron vetë, kjo tregon se i respekton nevojat dhe hapësirën tuaj.
E njëjta gjë vlen edhe për kohën personale. Një marrëdhënie e shëndetshme nuk nënkupton të bëni gjithçka bashkë. Të dy duhet të keni hapësirë për miqtë, interesat dhe aktivitetet tuaja, pa e parë këtë si kërcënim për lidhjen.

Nuk ju lë të hamendësoni se çfarë ndien
Në fillim të një njohjeje mund të ketë pasiguri dhe emocion, por nëse me kalimin e kohës vazhdoni të pyesni veten nëse personi tjetër ju pëlqen apo jo, kjo mund të jetë një shenjë për t’u marrë seriozisht.
Kur dikush është realisht i interesuar për ju, ndjenjat dhe qëllimet e tij bëhen gjithnjë e më të qarta. Nuk duhet të kaloni vazhdimisht kohën duke analizuar mesazhet, sjelljen apo distancën e tij për të kuptuar se ku qëndroni.

Nuk ka frikë të flasë për të ardhmen
Një tjetër shenjë pozitive është kur partneri nuk shmang bisedat për të ardhmen. Kjo nuk do të thotë se duhet të bëni plane të mëdha që në fillim, por që personi tjetër e përfshin natyrshëm marrëdhënien në planet e tij.
Bisedat për javët apo muajt në vazhdim mund t’ju ndihmojnë të kuptoni nëse të dy po kërkoni të njëjtën gjë dhe nëse jeni në të njëjtën linjë për atë që dëshironi nga kjo marrëdhënie.
I kushton vëmendje detajeve të vogla
Ndonjëherë janë pikërisht gjestet më të vogla që tregojnë më shumë. Nëse partneri mban mend mënyrën si e pini kafenë, ushqimin që ju pëlqen apo një detaj që i keni përmendur rastësisht disa javë më parë, kjo tregon se ju dëgjon dhe është i vëmendshëm ndaj jush.
Nuk bëhet fjalë për dhurata të mëdha apo gjeste spektakolare. Shpesh, kujdesi i treguar në gjërat e vogla është ai që e bën një marrëdhënie të ndihet më e ngrohtë dhe më personale.

Përpjekja vjen nga të dyja anët
Një marrëdhënie nuk mund të mbahet vetëm nga një person. Nëse edhe partneri juaj investon kohë, energji dhe vëmendje, ndërsa interesohet për mënyrën se si ndiheni, kjo është një shenjë se marrëdhënia ka baza të mira.
Fundja, një fillim i bukur nuk mjafton gjithmonë për të ndërtuar një lidhje të fortë. Ajo që ka më shumë rëndësi është nëse të dy vazhdoni të tregoni interes, respekt dhe kujdes edhe pasi emocionet e para fillojnë të qetësohen./K.M
