Nga Leonard Veizi
Më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Pas tij, brenda pak ditësh, hynë në luftë edhe Bullgaria, Serbia dhe Greqia. Fillonte Lufta e Parë Ballkanike, konflikti që pas pesë shekujsh do t’i hiqte Perandorisë Osmane pothuajse të gjitha zotërimet e saj në Europë dhe do të vendoste fatin e trojeve shqiptare.
Lufta nuk erdhi papritur. Ishte rezultat i një krize të gjatë.
Sipas historianëve, Perandoria Osmane kishte hyrë në një fazë kur nuk ishte më në gjendje të reformohej. Ajo qeveriste keq, administrata ishte e korruptuar dhe e paaftë të zgjidhte problemin kryesor të shekullit: rritjen e nacionalizmave midis popujve që sundonte. Premtimet për barazi dhe reforma, si ato të xhonturqve pas vitit 1908, mbetën në letër.
Arsyeja e dytë ishte jashtë perandorisë. Fuqitë e Mëdha – Britania, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia – grindeshin aq shumë mes tyre për influencë në Ballkan, sa dështuan të detyronin Stambollin të zbatonte reformat që vetë i kërkonin. Çdo reformë bllokohej nga rivaliteti i tyre.
Në këtë boshllëk, shtetet e Ballkanit vendosën ta imponojnë vetë zgjidhjen.
Kështu lindi Lidhja Ballkanike.
Lidhja Ballkanike
E krijuar në pranverën e vitit 1912 me ndërmjetësimin e Rusisë, Lidhja bashkoi Bullgarinë, Serbinë, Greqinë dhe Malin e Zi. Formalisht, qëllimi ishte çlirimi i popujve të krishterë nga sundimi osman. Në praktikë, ishte edhe një marrëveshje për ndarjen e trashëgimisë territoriale të një perandorie që po shpërbëhej.
Deri në fillim të shekullit XX, këto vende kishin fituar tashmë pavarësinë, por kishin mbetur të pakënaqura me kufijtë. Duke parë dobësimin e shpejtë të osmanëve pas humbjes së Libisë nga Italia në 1911-1912 dhe pas kryengritjeve shqiptare të viteve 1910-1912, ato donin të merrnin pjesët që do të mbeteshin. Në hartat e tyre, trojet shqiptare, ende nën perandori, ishin pjesë e plaçkës së luftës.
Shqiptarët mes Perandorisë dhe Pavarësisë
Brenda këtij konteksti duhet kuptuar edhe pozicioni i vështirë i shqiptarëve në vjeshtën e vitit 1912.
Një pjesë e atdhetarëve, brenda dhe jashtë vendit, bënin thirrje që në këtë luftë shqiptarët të qëndronin formalisht në anën e Perandorisë. Arsyeja ishte pragmatike: nëse trojet shqiptare konsideroheshin të pushtuara nga ushtritë ballkanike si territore osmane, rreziku i copëtimit ishte i plotë. Nëse qëndronin si pjesë e perandorisë, çështja shqiptare mund të diskutohej më vonë në një tryezë ndërkombëtare.
Ndërkohë, Ismail Qemali kishte marrë rrugën e kthimit. Me sigurime nga Vjena dhe nga qarqe diplomatike që Austro-Hungaria dhe Italia nuk do të lejonin copëtimin e plotë të Shqipërisë, ai shpejtoi drejt Vlorës. Më 28 nëntor 1912, kur Lufta e Parë Ballkanike ishte në kulmin e saj dhe ushtritë serbe, greke dhe malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të vilajeteve shqiptare, në Vlorë u shpall Pavarësia.
Ishte një akt i bërë në mes të luftës.
Traktati i Londrës
Lufta e Parë Ballkanike përfundoi në korrik 1913 me Traktatin e Londrës. Sipas tij, Perandoria Osmane humbiste pothuajse të gjitha zotërimet europiane në perëndim të vijës Enos-Midia. Pas pesë shekujsh prani në Ballkan, Stambolli tërhiqej praktikisht në Traki.
Për Shqipërinë, Traktati i Londrës ishte vendimtar. Fuqitë e Mëdha njohën parimisht autonominë e Shqipërisë, por caktuan një Komision Ndërkombëtar për të përcaktuar kufijtë. Ky komision do të linte jashtë shtetit të ri më shumë se gjysmën e trojeve të banuara nga shqiptarë – Kosovën, Çamërinë, një pjesë të Maqedonisë dhe trevat malazeze.
Lufta që nisi pa mbaruar e para
Pa u tharë ende boja e Traktatit të Londrës, filloi Lufta e Dytë Ballkanike.
Shkaku ishte ndarja e Maqedonisë. Para luftës, Serbia dhe Bullgaria kishin një marrëveshje sekrete për ndarjen e saj. Gjatë luftës, Serbia dhe Greqia ranë dakord mes tyre, po në fshehtësi, ta ndanin Maqedoninë pa Bullgarinë. Bullgaria, e cila kishte bërë peshën kryesore të luftimeve kundër osmanëve dhe kishte pësuar humbjet më të mëdha, u ndje e tradhtuar.
Më 29-30 qershor 1913, pa shpallje zyrtare lufte, Bullgaria sulmoi pozicionet serbe dhe greke në Maqedoni. Ishte një gabim fatal llogaritjeje.
Serbia dhe Greqia kundërpërgjigjen së bashku dhe e zmbrapsën sulmin. Brenda pak ditësh, kundër Bullgarisë hynë në luftë edhe Rumania nga veriu dhe Perandoria Osmane nga juglindja, e cila kërkonte të rimerrte Edrenenë.
E rrethuar nga të gjitha anët, Bullgaria u dorëzua.
Lufta e Dytë Ballkanike përfundoi më 10 gusht 1913 me Traktatin e Bukureshtit. Bullgaria humbi shumicën e territoreve që kishte fituar në Luftën e Parë: Maqedoninë e Vardarit ia la Serbisë, Maqedoninë e Egjeut Greqisë, Dobruzhën jugore Rumanisë, ndërsa Edreneja iu kthye osmanëve.
Bilanci për Ballkanin ishte i rëndë. Dy luftëra brenda dhjetë muajsh lanë dhjetëra mijë të vrarë dhe krijuan armiqësi që do të shpërthenin përsëri një vit më vonë, në Luftën e Parë Botërore.
Për shqiptarët, viti 1912-1913 mbetet viti i dy fateve të kundërta: shpalljes së një shteti të pavarur dhe, në të njëjtën kohë, ndarjes së kombit.
